RTSH 24 Live

Sociale

Krifca në Panairin e Bujqësisë dhe Ushqimit: Mbështesim fermerët e vegjël për më shumë akses në tregjet ndërkombëtare

23/05/2023

Krifca në Panairin e Bujqësisë dhe Ushqimit: Mbështesim fermerët e vegjël për më shumë akses në tregjet ndërkombëtare

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po zgjeron mbështetjen për rritjen e aksesit të fermerëve të vegjël në tregjet vendase dhe të huaja, duke kontribuar në promovimin dhe shitjen më të shpejtë të produkteve të tyre.

E pranishme në Panairin e Bujqësisë dhe Ushqimit në Tiranë, ministrja tha se po ndihmohen fermerët të marrin pjesë në panaire lokale dhe ndërkombëtare me qëllimin kryesor të promovimit të prodhimeve “Made in Albania.”

“Krahas investimeve në ngritjen e tregjeve bujqësore sipas modeleve më të mira, së fundmi në Vaun e Dejës, në Farkë etj, po ndihmojmë fermerët të marrin pjesë në panaire lokale dhe ndërkombëtare me qëllimin kryesor të promovimit të prodhimeve Made in Albania.”, tha Krifca.

Krifca informoi se këtë vit do të ndërtohen dhe 5 tregje të tjera duke i lehtësuar fermerët për shitjen e produkteve, por edhe duke afruar konsumatorin me një gamë më të madhe prodhimesh.

“Bujqësia shqiptare tashmë është gati të hapë dyert e saj për botën, me produkte cilësore dhe sipas standardeve më të mira.Ushqimi, tradita, klima dhe biodiversiteti janë faktorët kryesorë për bujqësinë. Kemi një trashëgimi të të parëve tanë, dituria e tyre na ka mësuar si të ruajmë edhe më shumë këtë sektor.”, tha ministrja.

Ministrja shtoi se qasja e re në agroturizëm ka ngjallur kureshtje të madhe për vizitorët e huaj, por edhe vendas dhe kjo është bërë një pikë e rëndësishme për pasaportën e vendit tonë.

“Vitin e fundit e mbyllëm me 500 milionë euro eksporte pasi kemi ndërtuar infrastrukturën, e cila ka ndërthurur përpjekjet individuale dhe bashkësive për fermerët.

Jemi munduar që së bashku me prodhuesit tanë të promovojmë kudo ku mundemi në më shumë se 10 panaire ndërkombëtare. Ndërsa kemi mundësuar pjesëmarrjen e mbi 140 prodhuesve tanë në panairet ndërkombëtare duke i dhënë jehonë produktit shqiptar dhe nxitje aksesit në tregje. Vetëm gjatë 4 muajve të fundit kemi rritur eksportin e vajit e ullirit me më shumë se 14 herë në krahasim me 4-mujorin e fundit të 2022’, tha ajo.

Ministrja gjithashtu njoftoi edhe krijimin e një panairi ndërkombëtar në Shqipëri për prodhimin e brumërave me bukën shqiptare si simbol të eventit.

“Jemi në fazë pune për krijimin e një panairi ndërkombëtar për prodhimin e brumërave, bukës, ëmbëlsirave dhe për çdo produkt Made in Albania.”, përfundoi Krifca.

/rtsh.al/