Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së Prodhimit të Bukës, Brumërave dhe Pastiçerive, në ambientet e MBZHR-së, ku diskutoi mbi ecurinë e këtij sektori, nevojat që ata kanë dhe vizionin për të mbështetur këtë industri.
Krifca theksoi se, industria e prodhimit të bukës në vend është një nga sektorët më të rëndësishëm jo vetëm për sigurinë ushqimore, por edhe për punësimin. Ministrja vuri në dukje se, prodhuesit e bukës në Shqipëri janë të mirorganizuar në një shoqatë të tyre.
“Bizneset e këtij sektori prodhojnë 100 % bukë artizanale me receta tradicionale që janë mjaft të pëlqyera nga konsumatorët dhe kjo industri jep një kontribut të rëndësishëm në punësimin e të rinjve dhe grave. Këtë produkt që e prodhojmë me shumë pasion dhe dashuri, duhet t’i japim një vlerë edhe në aspektin e promovimit dhe të bëjmë në fakt atë që po bëjmë edhe me produktet e tjera që po certifikojmë, për sa i takon recetave autentike tradicionale, apo të certifikuara dhe regjistruara sipas emërtimit të origjinës”, u shpreh ministrja.
Krifca shprehu mbështetjen për prodhuesit e kësaj industrie, që për recetat që ata prodhojnë dhe kanë një traditë shumëvjeçare, do t’i japë vlerën e caktuar asaj recete duke e mbrojtur, certifikuar dhe promovuar këtë recetë ndërkombëtarisht.
“Diskutuam gjerësisht mbi ecurinë e punës në sipërmarrjet e tyre, bashkëpunimin me ministrinë në rolin e politikëbërësit të sektorit, por dhe institucionet e varësisë që sigurojnë garantimin e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve kaq të rëndësishme për tryezat e familjeve tona”, tha ministrja.
Krifca u shpreh e hapur për të bashkëpunuar me sipërmarrësit e këtij sektori dhe hodhi idenë për organizimin e një forumi dedikuar kësaj industrie, për të diskutuar mbi prodhimin e bukës, si dhe ndoshta edhe për organizimin e një “Panairi të bukës”.
Ajo theksoi se nevoja e konsumatorëve tanë është që dëgjojnë dhe njohin se në këtë sektor ka edhe inovacion, traditë, por edhe diversitet prodhimi.
/rtsh.al/