RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Kovaçevski i gatshëm të jetë nikoqir i takimit Kurti – Vuçiç më 18 mars

28/02/2023

Kovaçevski i gatshëm të jetë nikoqir i takimit Kurti – Vuçiç më 18 mars
Ne foto: Takimi ne Bruksel, 27 shkurt 2023

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski është i gatshëm të jetë nikoqir i takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si pjesë e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohen me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, më 18 mars në Maqedoni të Veriut, bëjnë të ditur burime nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për agjencinë Maqedonase të lajmeve MIA.

Në takim, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.

Pyetjes së MIA-s nëse kryeministri Kovaçevski do të pranonte të jetë nikoqir i këtij takimi muajin e ardhshëm në vend, nga Qeveria u përgjigjën pozitivisht duke nënvizuar se propozimi evropian për normalizim të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit është jashtëzakonisht me rëndësi për të ardhmen dhe stabilitetin e rajonit.

Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për propozimin evropian duke theksuar, se duhen bisedime për zbatimin e tij.  Takimi i nivelit të lartë për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE, u mbajt më 27 shkurt 2023 në Bruksel dhe zgjatën mbi 5 orë.

Propozimi mban titullin "marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” dhe shefi i diplomacisë evropiane Borrell tha se pavarësisht progresit të arritur, sërish palët nuk arritën në një marrëveshje përfundimtare.

Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim e sotëm të qeverisë së Kosovës.

Nga ana tjetër Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç këmbëngul në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

/rtsh.al/