Edhe pse pa marrëveshje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës, takimi në Bruksel ka pasur progres, ku palët kanë treguar gadishmëri për bashkëpunim dhe arritjen e një marrëveshje që do të sjellë normalizmin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, gjatë konferencës për shtyp pas takimit me Vuçiç e Kurtin, tha se palët u zotuan që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar në Bruksel dhe se nuk nevojiten diskutime tjera sa i përket propozimit të BE-së për planin franko-gjerman.
“Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit evropian. Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të zbatuar marrëveshjen, por nevojiten ende negociata tjera për të përcaktuar modalitetet”, tha Borrell
Pranimi përfundimtar i propozimit europian, sipas Borrell, do të jetë në dobi për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa shtoi se shpreson që “të arrihet një marrëveshje përfundimtare gjatë muajit mars kur palët do të takohen sërish”.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se “nuk ka marrëveshje mes palëve dhe as për asociacionin”, por ka një marrëveshje që ai dhe Kurti të vijojnë takimet e nivelit të lartë.
Nga ana tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshjen, por pala tjetër refuzoi”.
Në Bruksel u zhvillua këtë të hënën (27 shkurt 2023), takimi i nivelit të lartë për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE, diskutime që zgjatën mbi 5 orë.
Ora 20:45/ Kurti: Isha i gatshëm të nënshkruaja marrëveshjen, por pala tjetër refuzoi
Pas përfundimit të takimit në Bruksel, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se “ishte i gatshëm të nënshkruante marrëveshjen, por pala tjetër refuzoi”.
Kurti tha për mediat se shprehu gadishmërinë e tij për të arritur një marrëveshje, por pala serbe nuk pranoi. Megjithatë Kurti tha se palët janë në rrugë të mbarë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Për Asociacionin është neni dhjetë fjalia e fundit e nenit të fundit. Për këtë jam përgjigjur. Është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momentin kur teksti mund të lexohet nga gjithë. Është marrëveshje që plotësisht vendos barazi të palëve, është marrëveshje e simetrisë e fqinjësisë së mirë e edhe bashkëpunimit në të ardhmen, në mënyrë demokratike e evropiane gjithmonë. Nuk kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme të nënshkruaj.
Kam shprehur gatishmëri e interesimin tim të nënshkruaj këtë tekst. Nuk do të ishte teksti i parë që do të nënshkruhej nga kryeministri i Kosovës e kreu i Serbisë. Në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje e katër kryeministra të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se është dëm që nuk është nënshkruar sot e u pajtuam. Duhej të rezultonte dakordimi me nënshkrim, ishte pala serbe që se bëri ndonëse u pajtua”, ka thënë ai.
Ora 20:30/ Borrell: Palët janë pajtuar për planin evropian, do takohen sërish për marrëveshje përfundimtare
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se liderët e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar që nuk duhen diskutime të tjera sa i përket planit evropian dhe do takohen sërish.
“Dy liderët e kanë diskutuar së bashku. Kemi pasur tensione në formate të ndryshe. Liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme e gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiç e Kurti janë pajtuar që nuk do të duhet diskutime tjera për propozimin evropian. Kjo marrëveshje është mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë. Jo për BE-në por qytetarët e Kosovës e Serbisë.
Njerëzit mund të lëvizin lirshëm mes Kosovës e Serbisë duke përdorur pasaportat e veta të njohura. ID-të e targat. Njerëzit mund të studiojnë e punojnë pa hamendësuar nëse diplomat e tyre a ku i marrin mund të jetë çështje. Marrëveshja sjellë mundësi të reja ekonomike, duke rritur asistencën financiare, kooperim biznesi e investime të reja Kosovë e Serbi”, tha Borrell.
Borrell tha gjithashtu se palët do të takohen gjatë muajit mars, ku shpreson të ketë edhe një marrëveshje përfundimtare.
Ora 20:20/ Vuçiç: S'ka marrëveshje mes palëve, do takohemi sërish
Pas përfudnimit të takimit në Bruksel, presidenti serb Vuçiç tha se “nuk ka marrëveshje mes palëve dhe as për asociacionin”, por ka një marrëveshje që ai dhe Kurti të vijojnë takimet e nivelit të lartë.
Vuçiç shprehu besimin e tij se do të mund të arrihet një marrëveshje për të dyja palët dhe se ka insistuar në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin, që po has kundërshtitë e kryeministrit Kurti.
“Nuk është arritur asgjë përveç që do të bisedojmë. Si të bisedojmë kur ka kundërshtime për Asociacioni të komunave me shumicë serbe. Së pari duhet të zbatohet, sido që ta ktheni, Asociacioni është në rend të parë. Pastaj do të shohim çfarë do të ndodh tutje. Kam ardhur për të nënshkruar një propozim. Sa i përket pyetjes, ka një fushatë kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Do të njihen me atë se çfarë është nënshkruar. Ekzistojnë 22 parime që kemi nënshkruar fjalë për fjalë janë të rëndësisë të posaçme për popullin serb.
Nëse dikush nuk e kupton, nuk e kupton realitetin. Nëse dikujt do t’i binte ndërmend, pyetja ime është si të paguajmë rrogat profesorëve, arsimtarëve, mjekëve motrave medicinale. Nuk kemi Bashkësi, por një Bashkësi. Nuk kemi shtruar pyetje të vështira. Nuk besoj se keni lexuar parimet për themelimin e Asociacionit. Më thoni se cilat adresë të dërgojë dokumentet e nënshkruara e pranuar. Për këtë kam dëgjuar me kujdes z. Kurti e kam kuptuar se gjithë atë që tha, dhe pse është e papranueshme për të. Por këto janë çështje që duhet të arritura, e besoj do të përmirësohen. Më 23 ose 24 ata duan të kenë një raport për Këshillin e Evropës nëse kemi arritur diçka. Do të takohemi sërish. Ka qenë një takim shumë i vështirë.
Natyrisht që përmenda takimin e ardhshëm, duhet patjetër. Kanë insistuar në zbatimin e marrëveshjeve për Asociacionin, Kurti ka refuzuar. Thotë se do të arrihet një marrëveshje, por ka mbetur në situatë të paqartë. Mirë që folëm, por besoj se do të gjendet një marrëveshje për të dyja palët”, tha Vuçiç
Ora 20:15/ Përfundon takimi në Bruksel mes Kurtit dhe Vuçiç
Ka përfunduar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ndërmjetësuar nga BE.
Ora 19:10/ Takimi në Bruksel, Petkoviç: Kurti po bën truke të mos pranojë Asociacionin e komunave serbe
Teksa takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiç po zhvillohet në Bruksel në pritje të një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, Serbia nuk ka kursyer akuzat ndaj Kosovës.
Politikani serb i emëruar nga Beogradi edhe si Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviç tha se Kurti nuk dëshiron të pranojë Asociacionin e komunave serbe dhe për këtë, sipas tij, po bën truke të ndryshme në Bruksel që të shmang detyrimet, raporton Tanjug.
“Kurti po përpiqet në çdo mënyrë të shmangë detyrimin për formimin e Asociacionit. Ai e bën atë në mënyra të ndryshme dhe me truke të ndryshme. Presidenti Vuçiç po lufton dhe po insiston në Asociacion, sepse është obligim i Prishtinës që ekziston për 10 vjet”, tha Petkoviç.
Këto deklarata ai i bëri nga Brukseli pas takimit të Borrell dhe Vuçiç.
Ora 18:50/ Borell: Kosova dhe Serbia të kenë qasje konstruktive për propozimin e BE
"Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dy palët", ishte mesazhi që shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell gjatë takimit të nivelit të lartë mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Borrell tha se ky takim shërben për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku palët po diskutojnë për propozimin e BE.
“Mirëprita presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut Kosovë-Serbi. Në axhendën tonë është propozimi I BE për normalizimin e marrëdhënieve. Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dy palët”, shkruan Borrell në twitter.
Ora 17:50/ Borrell dhe Lajçak ulin përballë në tyezë Kurtin dhe Vuçiç
Nis takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiç, shefi i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Pas takimeve veçmas të përfaqësuesve të BE me Kurtin dhe Vuçiç, tashmë takimi po zhvillohet përballë mes të gjitha palëve.
Ora 16:40/ Pas Kurtit, Borrell e Lajçak presin në takim Vuçiç
Pas takimit me Kurtin, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë pritur presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Ora 15: 15/ Borrell dhe Lajçak presin në takim Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pritur këtë pasdite në Bruksel nga shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi në Bruksel nisi në orën 15:00 dhe u zhvillua në kuadër të procesit të normalizimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ora 15:00/ Çfarë propozon plani franko-gjerman?
BE ka bërë të qartë se plani franko-gjerman është i panegociueshëm dhe se palët duhet të diskutojnë vetëm për zbatimin e tij.
Pjesë e planit do të jenë përkushtimi i Kosovës dhe Serbisë që të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe në organizatat ndërkombëtare.
Një tjetër pikë e propozimit europian është edhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që nuk është pranuar deri më tani nga Kurti, pasi nuk dëshiron që “asociacioni të jetë me bazë një etnike”. Nga ana tjetër Kurti thotë se plani franko-gjerman është një “njohje de facto” e Kosovës nga Serbia.
Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka takuar palët veçmas përpara takimit të përbashkët. Propozimi i BE përkrahet edhe nga SHBA, e cila ka bërë thirrje për normalizmin të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
/rtsh.al/