Me mbi 90 për qind të votave të numëruara me postë, nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me më shumë se 51 për qind apo me mbi 28.000 vota, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës me mbi 30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës me mbi 9 për qind dhe koalicioni AAK-Nisma me mbi 3 për qind.
Numërimi i votave me postë nisi më 28 shkurt, pasi KQZ-ja njoftoi se ka miratuar më shumë se 63.000 pako me fletëvotime.
Ky proces pritet të përfundojë gjatë ditës, ndërkohë që pritet të nisë edhe numërimi i votave me kusht dhe i personave me aftësi të kufizuara.
Me rezultatet aktuale, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Për të pasur shumicën duhen së paku 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës me 120 vende.
Kryeministri Albin Kurti është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.
Vetëvendosje aktualisht ka vetëm 48 deputetë, ndërkohë që partitë në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me Kurtin.
Procesi i numërimit të votave është aktualisht në javën e katërt.
/rtsh.al/