RTSH 24 Live

Kosovë

Çështja e rezervave shtetërore, Kurti sërish nuk paraqitet në Prokurori

3 orë para

Çështja e rezervave shtetërore, Kurti sërish nuk paraqitet në Prokurori

Ora 10:00 ishte koha kur kryeministri Albin Kurti do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar mbi çështjen e shpërdorimit të rezervave shtetërore, por ai nuk u paraqit duke refuzuar për herë të tretë thirrjen e organit të akuzës.

Gjykata Themelore në Prishtinë urdhëroi Kurtin që të këtë të martë të paraqitej në cilësinë e dëshmitarit në Prokurori, por kryeministri sipas agjendës zyrtare në të njëjtin orar ka marrë pjesë në përurimin e nisjes së punimeve të një çerdheje të re në Gjilan.

"Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas interesimit të shumë gazetarëve, informon se dëshmitari A.K. nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij edhe përkundër faktit se i njëjti ka qenë i obliguar me Urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës edhe në këtë rast penal, sikurse në të gjitha rastet tjera do të veprojë duke respektuar legjislacionin në fuqi," thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Në reagimin e vet, kryeministri tha se ai është i gatshëm të dëshmojë, por jo në ambientet e Prokurorisë.

"Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj... Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhen. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit," tha z. Kurti, siç raportoi Radio Evropa e Lirë.

Çështja e rezervave shtetërore

Në vitin 2023 u arrestuan tre persona, mes tyre edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), në vijim të bastisjes që kryen autoritetet në Ministri pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku pretendohej se një sasi vaji e blerë në Poloni dhe një sasi gruri e blerë në Turqi nuk kishin arritur kurrë.

Sipas ministres Rozeta Hajdari, blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë detaje, duke i konsideruar sekrete shtetërore edhe dokumentet e konfiskuara nga policia gjatë bastisjes.

/rtsh.al/