RTSH 24 Live

Kosova

Kosovë, Kuvendi harton projekt-rezolutë që dënon sulmet ndaj Policisë në Banjskë

28/09/2023

Kosovë, Kuvendi harton projekt-rezolutë që dënon sulmet ndaj Policisë në Banjskë

Kuvendi i Kosovës ka rënë dakord të enjten që të hartojë një projekt-rezolutë për dënim të sulmeve që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator, njofton Radio Evropa e Lirë.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në Banjskë të Zveçanit kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

Seanca e 28 shtatorit ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.

Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur, sipas saj, është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës.

“E diela që lamë pas shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër”, ka thën ajo, teksa e ka përmendur armatimin e gjetur nga Policia e Kosovës në zonën e sulmit.

Kusari-Lila e ka fajësuar Serbinë për sulmin.

“Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe këtij krimi... u kuptua se Serbia as nuk ka ndryshuar, as nuk e fsheh faktin që ka mbetur Serbia e [ish-liderit Sllobodan] Millosheviqit, vetëm se ndikimin e ka më të vogël dhe fushëveprimin më të ngushtuar”  tha ajo.

Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi.

( Sipas Radios Evropa e Lirë )

/ rtsh /