“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit tani kanë një Qeveri që kujdeset për ta, pikërisht atëherë kur shteti serb i injoron dhe i diskriminon qëllimisht”,. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një postim në Facebook.
Kreu i qeverisë thotë se gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje janë ndarë mbi dy milionë euro mbështetje financiare për Luginën e Preshevës, ndërsa 500 mijë euro u dhanë gjatë përballjes me pandeminë Covid-19 së tri komunave me shumicë shqiptare në Serbi.
“Mbështetja financiare përveçse do të vazhdojë, vitin e ardhshëm do të jetë 50% më e lartë. Në buxhetin e vitit 2024 kemi parashikuar 3 milionë euro për Luginën e Preshevës, një milion më shumë se sa ky vit buxhetor”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se Qeveria e tij synon përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në Serbi, në kohën kur Beogradi synon një Serbi pa shqiptarë.
Kreu i ekzekutivit në ndihmën për Luginën e Preshevës ka përmendur mbështetjen për arsimin që përfshin tekstet shkollore në gjuhën shqipe, bursat e studimit dhe uljen e tarifave për studentët shqiptarë.
Ndërkaq Kurti deklaroi se shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’u mundësohet realizimi i të drejtave të pronësisë mbi pronat e paluajtshme në Kosovë.
Ndërsa ka shtuar se çështja e shqiptarëve në Serbi, diskriminimi shtetëror, shkelja e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimi i adresave, për herë të parë u diskutuan edhe në Senatin Amerikan.
Gazetare V. Zharri
/RTSH/