Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran, i cili synon të menaxhojë pasurinë më të rëndësishme publike të Kosovës. Deputeti Ferat Shala tha se qeveria përmes këtij ligji po tenton të vendosë një superstrukturë për të krijuar pabarazi dhe për të hapur linja tjera të kontrollit mbi asetet publike.
“Ne sot po e fillojmë këtë proces politik dhe jemi të bindur se do të duhej të kthehej apo të suprimohej ky ligj tashmë i miratuar dhe t’i kthehemi normalitetit ekonomik të vendit, sepse kjo qeveri po orvartet që me ligje të tilla diskriminuese të pabarabarta të kapë të resurset, asetet dhe ndërmarrjet, të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vetë”, u shpreh Ferat Shala deputet i PDK-se.
Ndërkaq, përfaqësuesi ligjor i PDK-së, Faton Fetahu tha se grupi parlamentar beson se Kushtetuesja do të shpallë jo kushtetues ligjin
“Kemi evidentuar se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme me të paktën 7 nene të Kushtetutës. I tillë është edhe neni, i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran dhe krijimin e ndërmarrjeve, të cilat janë si ndërmarrje private, që do t’i mbështesë Fondi. Do të krijohet monopol në treg sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij, pa kushte dhe pa kritere e do të investojë”, tha Faton Fetahu, përfaqësuesi ligjor i PDK-së
PDK vlerëson se me Ligjin për Fondin Sovran po krijohet një institucion jashtë parimeve të sundimit të ligjit dhe kërkesa për vlerësimin e këtij ligji nga Kushtetuesja pengon dekretimin nga ana e presidentes. Fondi Sovran synon të menaxhojë ndërmarrjet publike e shoqe shoqërore të Kosovës dhe asete, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
/RTSH/