RTSH 24 Live

Kosovë

Kosova, 17 vjet në Pavarësi. Begaj: Arritja më e madhe e shekullit për kombin shqiptar

17/02/2025

Kosova, 17 vjet në Pavarësi. Begaj: Arritja më e madhe e shekullit për kombin shqiptar

Presidenti Bajram Begaj e quajti të hënën pavarësimin e shtetit të Kosovës një nga arritjet më të mëdha të shekullit për shqiptarët.

Deklarata u bë nga Prishtina në pritjen shtetërore në nder të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në praninë e homologes Vjosa Osmani dhe kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

"Pavarësia e Kosovës erdhi si meritë e përpjekjeve titanike të një populli që nuk u përkul dhe nuk u dorëzua kurrë ndaj padrejtësive dhe gjenocidit. Sot e përjetë nderojmë arkitektin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën, liderin dhe presidentin historik të Kosovës, dhe Adem Demaçin. Nderojmë komandantin legjendar Adem Jashari dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Nderojmë gjakun e dëshmorëve dhe sakrificat për një të ardhme në liri të mijëra burrave e grave.

26 vite më parë çështja e Kosovës bashkoi shtete e kombe. Me mbështetjen e aleatëve tanë euroatlantikë dhe me ndërhyrjen unike vendimtare të NATO-s kundër terrorit, krimeve të luftës dhe gjenocidit serb, u hap rruga e lirisë, u krijua shteti i Kosovës, arritje e madhe për kombin shqiptar në këtë shekull.

Shqiptarët besojnë se Bashkimi Europian, në vlerat që ai përfaqëson si dhe në përkushtimin për zgjerim, por mosnjohja e Republikës së Kosovës ndaj disa vende anëtare është akt që bie ndesh me këtë përkushtim. Dëshirojmë që këto vende të rishikojnë vendimet e qëndrimet e tyre dhe gjithashtu Bashkimi Europian të heqë sanksionet e vendosura padrejtësisht ndaj shtetit të Kosovës," u shpreh presidenti Begaj në fjalën e tij.

Edhe kryeshtetarja e Kosovës, znj. Osmani, foli për sakrificat dhe luftën e popullit të saj për liri.

"Para 17 viteve, po në këtë ditë, populli i Kosovës realizoi një ëndërr shekullore të brezave të tërë, një realitet i fituar me sakrificë dhe një amanet që e mbajmë me përkushtim çdo ditë. Liria jonë nuk ishte e dhuruar. Ajo u fitua me gjakun e bijve dhe vijave, trima guximtarë e liridashës të këtij vendi. Kujtimi për ta, për secilin dëshmor të UÇK-së e për secilin martir të lirisë është përjetësisht i gdhendur në themelet e republikës sonë. Liria jonë mbart edhe vulën e aleatëve tanë," deklaroi presidentja Osmani.

Kurti: Kosova kërkon të jetojë në paqe me shtetet fqinje dhe të ndërtojë një të ardhme evropiane

Në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë të Kosovës, është zhvilluar një pritje shtetërore ku ishin të pranishëm krerët e shtetit, përfaqësues të institucioneve, ambasadorë të huaj në vend dhe aktorë politikë e të fushave të tjera.

Gjatë fjalës së rastit, Kryeministri Albin Kurti tha:

17 vite më parë u shpall pavarësia e Republikës sonë.  Lindja e saj ishte rrjedhojë e gati një shekull qëndrese të paepur të popullit tonë ndaj sundimit  të huaj, dhunës të padrejtësive thuajse të përditshme, dhe ndërmarrjeve gjenocidale për ta shpërbërë atë.

Kur republika u shpall nga kuvendi i Kaçanikut në 1990, jo vetëm që ishte legjitime por përbënte një formulë të drejtë dhe të arsyeshme drejtë zgjidhjes së çështjeve shqiptare nën Jugosllavi.

Mirëpo popullit tonë iu desh që të bëjë sakrifica të tjera gjatë viteve 90 për të jetësuar republikën dhe njohjen mbarëkombëtare.

Lëvizja mbarë popullore e udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova , Femi Agani , Adem Demacci, Rexhep Qosja, Ukshin Hoti, e shumë të tjerë u pasuan nga epopeja e Familjes Jashari e Krye Komandantit Adem Jashari dhe lufta çlirimtarë e UÇK-së.

Ne sot përkulemi me respektin më të thellë ndaj gjithë dëshmorëve , të zhdukurve, të burgosurve politik, të plagosurve dhe të keqtrajtuarve dhe gjithë burrave dhe grave që i shërbyen me jetetët, mundin, e pronën e tyre realizimit të Republikës së Kosovës.

Ne si qeveritarë dhe politikanë kemi detyrë që të përfaqësojmë  jo vetëm vullnetin e zgjedhësve por dhe aspiratën e atyre që janë përpjekur për krijimin e një shteti të pavarur dhe demokratik që i mundëson gjithë qytetarëve të tije që të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet në vendin e tyre dhe çdo kund pa dallim.

Sot Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran dhe demokratik dhe me integritet territorial. 

Ajo kërkon të jetojë në paqe me shtete fqinje dhe së bashku të ndërtojë një të ardhme evropiane.

Kosova është panterë e shteteve demokratike të botës që ndihmuan në shpalljen e pavarësisë të saj, si SHBA, vendet anëtare të BE , Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Japonia , Kanadaja, etj.

Republika e Kosovës ka dorëzuar aplikimin për tu anëtarësuar në BE edhe pse pesë shtete anëtare ende nuk na njohin.  Kosova angazhohet për mbrojtjen kolektive  dhe forcat e Siguresë së Kosovës marrin pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s.

Kosova mbështet luftën e drejtë dhe mbrojtëse të Ukrainës , pa marr parasysh faktin që ende nuk jemi njohur si shtet prej saj.

Republika e Kosovës garanton dhe zbaton të drejtat e pakicave , edhe më lart se sa standardet ndërkombëtare  sidomos për pakicën serbe sikurse kanë konstatuar edhe juristët eminent të Këshillit të Europës.

 Ndërkohë kur shqiptarët në Luginën e Preshevës gjenden në një trysni të vazhdueshme nga diskriminimi në ekonomi, kulturë, shëndetësi, arsim derisa pasivizimi i adresave është veç një spastrim etnik atje me mjete administrative dhe burokratike."

/rtsh.al/