Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e kontrollit të banesës së partneres së tij nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH). Politikani në arrati ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rigjykimin në Apel.
Gjykata e Lartë e ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga bashkëjetuesja e ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të saj.
Sipas dosjes së SPAK-ut, apartamente në Tiranë dhe në zonën e Hamallajt në Durrës dyshohet se kanë qenë në pronësi të Ahmetajt dhe më pas janë shitur tek persona të tjerë në mënyrë fiktive.
Për këtë arsye, agjentët e BKH-së ushtruan kontrolle në banesën në Lalëz të të atit të bashkëjetueses së Ahmetajt.
Sakaq, ndaj ish-zv.kryeministrit Ahmetaj është lëshuar nga SPAK urdhërarresti ndërkombëtar. Më 14 korrik, Kuvendi i hapi rrugën arrestimit të Ahmetajt dhe kontrollit të banesës së tij, me kërkesë të SPAK-ut.
/rtsh.al/