RTSH 24 Live

Aktualitet

SPAK u konfiskoi vilat/ Bashkëjetuesja e Ahmetajt kërkon rikthimin e tyre, Gjykata e Lartë e refuzon

27/07/2023

SPAK u konfiskoi vilat/ Bashkëjetuesja e Ahmetajt kërkon rikthimin e tyre, Gjykata e Lartë e refuzon

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Erjola Hoxha, bashkëjetuesja e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj dhe shtetasja tjetër Elda Dinaj mbi vendimin për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të saj.

Në vendimin e saj Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit duke mos pranuar rekursin e Erjola Hoxhës dhe Elda Dinajt.

“Mospranimin e rekursit të paraqitur nga ankueset Erjola Hoxha dhe Elda Dinaj, kundër urdherit/vendimit nr. 62, datë 26.04.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Hoxha dhe Dinaj kishin bërë rekurs pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit pasi ndaj pasurive të tyre u vendos sekuestro në kuadër të hetimit të nisur ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për aferën e incineratorëve.

Sipas dosjes së SPAK apartamente në Tiranë dhe në zonën e Hamallajt në Durrës dyshohet se kanë qenë në pronësi të Ahmetaj dhe më pas të jenë shitur tek persona të tjerë në mënyrë fiktive.

Për këtë arsye, agjentët e Byrosë Kombëtare të Heimit ushtruan kontrolle në banesën e të atit të Erjola Hoxhës në Lalëz, bashkëjetueses së Ahmetajt.

Ndërkaq, sa i përket shtetases Elda Dinaj ajo rezulton si pronarja e vilës në Green Coast për të cilën më parë Ahmetaj ka mohuar të ishte në pronësi të tij ndërsa ish-gruaja e tij Albina Mançka u ka thënë hetuesve se ajo e ka pasur vilën vetëm në përdorim, ndërsa pronarja e saj është shtetasja Elda Dinaj.

Sipas dosjes së SPAK, kur Dinaj nënshkroi kontratën e blerjes së vilës, sistemi TIMS tregon se ajo nuk gjendej në Shqipëri ndërsa noteri që regjistroi transaksionin, ishte i vëllai i Mançkës (ish-gruas së Ahmetajt).

Ndërkaq, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati dhe tashmë ëshpallur në kërkim ndërkombëtar pas kërkesës së SPAK-ut që ka kërkuar arrestimin e tij për aferën e incineratorëve.

/rtsh.al/