RTSH 24 Live

Kuzhinë

Konsumi i karbohidrateve dhe yndyrave, udhëzimet e reja të OBSH-së

08/09/2023

Konsumi i karbohidrateve dhe yndyrave, udhëzimet e reja të OBSH-së

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nxjerrë udhëzime të reja për konsumin e karbohidrateve dhe yndyrave, duke ndjekur provat më të fundit shkencore.

Udhëzimet e reja për konsumin e karbohidrateve dhe yndyrave fokusohen në parandalimin e shtimit të pashëndetshëm në peshë si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët, por edhe në rekomandimet për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme të lidhura me dietën, si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare dhe lloje të caktuara të kancerit.

Përmbledhja e udhëzimeve të reja sillet rreth kufizimit të marrjes së yndyrës në 30 për qind të marrjes totale të energjisë dhe zgjedhjes së kujdesshme të karbohidrateve 'të mira'.

Yndyrnat e rekomanduara nga OBSH mund të gjenden në ushqime të tilla si peshku, vaji i ullirit, arrat. Yndyrnat për t'u kufizuar, nga ana tjetër, mund të gjenden te mishi, produktet e qumështit, vezët, vaji i palmës ose kokosit. Yndyrnat e përcaktuara si trans-yndyrna, nga ana tjetër, rrjedhin nga ushqimet të cilat kanë kaluar në proceset industriale.

Në lidhje me karbohidratet, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon konsumimin e drithërave, frutave, perimeve dhe bishtajave. Mielli i bardhë, ëmbëlsirat dhe produktet industriale, duhet të kufizohen. Rekomandohet që të rriturit të konsumojnë të paktën 400 gram fruta dhe perime në ditë dhe 25 gram fibra dietike.

Në veçanti për fëmijët, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon konsumimin e rreth 250 gram fruta dhe perime në ditë për fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, 350 gram në ditë për grup moshat 6-9 vjeç dhe të paktën 400 gram në ditë nga mosha 10 vjeç e lart./OBSH/

/rtsh.al/