RTSH 24 Live

Kosovë

Konjufca me homologen e Sllovenisë: S’ka fqinjësi të mirë pa ndëshkim të krimit në Banjskë

01/07/2024

Konjufca me homologen e Sllovenisë: S’ka fqinjësi të mirë pa ndëshkim të krimit në Banjskë

Në kuadër të vizitës në Kosovë, kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë Urska Klakocar Zupançiq është takuar me homologun Glauk Konjufca.

Ky i fundit ka deklaruar se s’ka fqinjësi të mirë pa ndëshkim të krimit në Banjskë.

Konjufca e njoftoi homologen për qëndrimin e Kosovës për një marrëveshje që duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër si e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme në rajon. Po ashtu, ai ka kërkuar heqjen e sanksioneve të BE-së, pasi sipas tij, Kosova i ka ndërmarrë  të gjitha veprimet për të përmbushur kërkesat e BE-së.

Më tej, dyshja vuri theksin te intensifikimi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Biseduam për bashkëpunimin e deritashëm dhe thellimin e këtij bashkëpunimi. Kryetaren Zhupançiq e njoftova për përparimin që ka bërë Kosova viteve të fundit. E falënderova që Sllovenia e përkrahu procesin e liberalizimit të vizave, e njëkohësisht e falënderova edhe për mbështetjen e madhe që na jep shteti slloven për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Konjufca.

Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë theksoi se shteti i saj do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Kosovën në të gjitha proceset drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike.

Kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe bashkëpunimi ynë është i kënaqshëm në aspekte të ekonomisë. Kuvendi ynë është i gatshëm që t’i ndaj praktikat e mira sa i përket eksperiencës që Sllovenia e ka me BE-në në përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Kosova dëshiron të bëhet anëtare e BE-së dhe Sllovenia këtu mund ta ndihmojë shumë. Ne e mbështesim perspektivën evropiane dhe anëtarësimin e vendit tuaj në KiE dhe rrugëtimin tuaj në integrimet euroatlantike. Kjo është kyçe për mirëmbajtjen paqes e stabilitetit në Kosovë por edhe në rajonin më të gjerë. Përmbushja e marrëveshjes si pjesë e dialogut Kosovë – Serbi është kyçe për sukses. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha Zupançiq.

/rtsh.al/