RTSH 24 Live

Lifestyle

Komiteti Botëror për Obezitetin propozon ndryshime në mënyrën e diagnostikimit

4 orë para

Komiteti Botëror për Obezitetin propozon ndryshime në mënyrën e diagnostikimit

Komiteti Botëror i Obezitetit Klinik i "The Lancet",  ka propozuar ndryshime në mënyrën e diagnostikimit të obezitetit  pasi siç konstatojnë ekspertët, matja e indeksit të masës trupore nuk është një masë e besueshme dhe mund të çojë në një vlerësim të gabuar.

Raporti bën thirrje për një "riformulim" të obezitetit për të bërë dallimin midis pacientëve me një sëmundje dhe atyre që mbeten të shëndetshëm, por në rrezik të sëmundjes në të ardhmen.

“Mjekët duhet të marrin në konsideratë shëndetin e përgjithshëm të pacientëve me yndyrë të tepërt, në vend që të masin vetëm indeksin e masës trupore të tyre (BMI)”, theksojnë ekspertët.

Sipas tyre, ata me sëmundje kronike të shkaktuara nga pesha e tyre duhet të diagnostikohen me "obezitet klinik", por ata që nuk kanë probleme shëndetësore duhet të diagnostikohen me "obezitet paraklinik".

Aktualisht, në shumë vende, obeziteti përkufizohet si të kesh një BMI mbi 30, një matje që vlerëson yndyrën e trupit bazuar në gjatësinë dhe peshën.

Por BMI nuk zbulon asgjë në lidhje me shëndetin e përgjithshëm të pacientit, thotë raporti, dhe nuk arrin të bëjë dallimin midis muskujve dhe yndyrës së trupit ose të llogarisë yndyrën më të rrezikshme rreth belit dhe organeve.

Ekspertët argumentojnë për një model të ri që shikon shenjat e obezitetit që prekin organet në trup të tilla si sëmundjet e zemrës, gulçimi, diabeti i tipit 2 ose dhimbjet e kyçeve dhe ndikimin e tyre të dëmshëm në jetën e përditshme.

Kjo tregon se obeziteti është bërë një sëmundje klinike dhe ka nevojë për trajtim medikamentoz.

Ata me "obezitet paraklinik", megjithatë, në vend të barnave dhe kirurgjisë, duhet t'u ofrohen këshilla për humbje peshe, këshillim dhe monitorim për të zvogëluar shanset e zhvillimit të problemeve shëndetësore. Mund të jetë gjithashtu i nevojshëm trajtimi./BBC

/rtsh.al/