RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni për Zgjedhoren/ Mazhoranca kundër kërkesës së Bardhit. Demokrati: Po mbani peng reformën

21/09/2023

Komisioni për Zgjedhoren/ Mazhoranca kundër kërkesës së Bardhit. Demokrati: Po mbani peng reformën

Mazhoranca ka rrëzuar kërkesën e demokratit Gazment Bardhi për përfshirjen në rendin e ditës së sotme për ndryshimin e anëtarëve të komisionit për reformën zgjedhore.

Me 55 vota kundër dhe 43 pro, kërkesa e Bardhit është rrëzuar, ndërsa Kuvendi do të shprehet sot me votë për shtyrjen e afatit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Por ky vendim i mazhorancës u kundërshtua nga deputeti Bardhi, i cili e konsideroi si mbajtje peng të reformës zgjedhore.

Në nisje të diskutimeve, kreu i grupit parlamentar socialist të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, propozoi fillimisht votimin për shtyrjen e afatit të Komisionit të Posaçëm të reformës zgjedhore dhe pas një jave të vijohej me kërkesën e Bardhit.

Ka nevojë imediate të fillojë nga puna Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kemi detyrim kushtetues nga vendimi që vjen nga GJK-ja për elementë të rëndësishëm të Kodit Zgjedhor. Është komision nga më të rëndësishmit dhe shpresoj që dhe kolegët e opozitës të kenë durimin të ulen pa paragjykime që të bëjmë më të mirën.

Pa diskutim, z. Bardhi, që s’jemi ne që zgjedhim përfaqësuesit e opozitës në një komision. Asnjë vendim, qëndrim, retorikë nga deputetët e PS-së nuk ka adresuar këtë gjë.

Nga pikëpamja procedurale në lidhje me kërkesën, sot ne të miratojmë këtë vendim për shtyrjen e afatit të komisionit, sepse përfundon të shtunën, dhe do jetë më e pastër dhe seancën tjetër shkojmë me ndryshimet përkatëse dhe ne mund të kemi nevojë të bëjmë ndryshime. I bashkojmë dhe marrim vendim.

Ta lëmë seancën tjetër ndryshimin e emrave të anëtarëve në Komision. Nëse nuk bien dakord, ta hedhim me votim sot dhe kërkesën e tyre”, tha Çuçi.

Ndërsa deputeti Bardhi ka propozuar që ndryshimi i përbërjes të votohet sot, pas votimit të shtyrjes së afatit të Komisionit. Sipas tij, Komisioni duhet të nisë nga puna që ditën e nesërme.

Për 1 vit e gjysmë nuk e çuam dot para Komisionin dhe vendosët shtyrjen me 6 muaj, sot miratojmë ndryshimet e anëtarëve. Ne jemi dakord të ndryshoni kë të çmoni brenda komisionit të reformës, por ne e kemi jofunksional përbërjen në komision. Të miratohet sot së bashku me zgjatjen e afatit”, tha Bardhi.

/rtsh.al/