Gjobat e vendosura në 10 vitet e fundit jo vetëm në zonat rurale, por edhe në qytet, do të falen. Një nismë ligjore që u miratua të martën në Komisionin e Ekonomisë vetëm me votat e socialistëve.
“Të anulohen masat administrative të vendosura edhe në zona urbane për qëllime strehimi, pra, jo për pallate, por për shtëpi banimi që përdoren për qëllime strehimi individual të përfshihen në gamën e subjekteve që do të përfitojnë”, tha deputeti socialist Erion Braçe, propozues i këtij projektligji.
Demokratët në komision e cilësuan projektligjin si iniciativë për qëllime elektorale dhe thanë se nisma është diskriminuese për disa kategori.
“Kjo është një masë elektorale po vijmë në zgjedhje dhe po nxitohet për të hedhur një karamele elektorale”, tha deputeti demokrat Edmond Spaho.
Por deputeti socialist Erion Braçe tha se "Nëse do rrimë në aspekt politik më vjen keq ta them nuk janë socialistët që po përfitojnë”.
Sipas të dhënave vetëm në vitin 2022 llogariten 1492 masa administrative gjobë për disa tipologji ndërtimesh në zonat rurale ndërsa në banesat individuale në qytet nuk ka një shifër.
Nisma ligjore pritet të miratohet të enjten.
/ rtsh.al /