RTSH 24 Live

Kulturë

Fest 63 - Nis nesër ngjarja më e madhe kombëtare e muzikës. 30 artistë në garë, të ftuar specialë dhe Nata e Nostalgjisë

4 orë para

Fest 63 - Nis nesër ngjarja më e madhe kombëtare e muzikës. 30 artistë në garë, të ftuar specialë dhe Nata e Nostalgjisë

Nesër (të enjten, 19 dhjetor), në ekranin RTSH-së, nën tingujt e muzikës, dritave skenike, kamerave, bliceve të aparateve fotografike dhe të celularëve, starton ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme muzikore e vitit, jo vetëm brenda vendit, por edhe në të gjitha trojet shqiptare, madje edhe në diasporë - Fest 63.

Kjo ngjarje muzikore mbarëkombëtare përmbledh brenda vetes jo vetëm kompozimet dhe tekstet më të mira të shkruara nga kompozitorët dhe poetët, por shënon edhe një pikë kulminante në karrierën muzikore për të gjithë vokalistët, të cilët do të interpretojnë në skenën e Fest 63 për 4 net me radhë. Një mundësi për t'u bërë të famshëm edhe në skenat ndërkombëtare, duke filluar që nga përfaqësimi i këngës fituese në Eurovizion.

Por ngjarja më e madhe muzikore në Shqipëri dhe më gjerë shënon një kulminacion edhe për mjaft elemente të tjera, të cilat plotësojnë mozaikun e Fest 63, duke filluar nga moderimi, dirigjimi, aranzhimi i kompozimeve, regjia skenike dhe ajo televizive, skenografia, ndriçimi e deri tek kostumografia.

Ajo që bie në sy në Fest 63 është fakti se ka një ndërthurje të larmishme zërash, që në karrierën e tyre kanë prekur lloje të ndryshme zhanresh muzikore, por të fokusuar më së shumti tek muzika pop dhe rok. Disa prej interpretuesve në skenë do të shkelin për herë të parë në tapetin e netëve magjike të Fest 63, ndërsa disa të tjerë kanë marrë pjesë edhe në festivalet e mëparshme, duke ngritur edhe trofe të këtij festivali.

Përveç tingujve muzikorë, ajo që do të bjerë në sy në këtë festival është edhe kujdesi për tekstet, të cilat do të përcjellin mesazhe mbi dashurinë, tematika mbi vendin, frymën kombëtare, si dhe do të përcjellin mesazhe sensibilizuese me natyrë sociale.

Polo: Fest 63, RTSH ofron art dhe kulturë të vërtetë për publikun shqiptar

Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së dhe Drejtoresha e Festivalit, Aurora Polo, në prag të ngritjes së siparit të Fest 63, ka falënderuar ekipin artistik dhe profesional të radiotelevizionit për angazhimin dhe përgatitjen e një festivali të denjë, që “ka bërë histori në çdo fundvit”.

Sipas saj, ky festival përfaqëson një përpjekje serioze për të kënaqur publikun, duke i dhënë mundësinë besnikëve, nostalgjikëve dhe të rinjve, që të ndjekin një ngjarje të denjë për traditën muzikore shqiptare.

Ajo ka falënderuar edhe stafin e RTSH-së dhe Orkestrën Simfonike të RTSH, që janë, sipas saj, "diamanti i këtij festivali, si dhe një shtyllë e rëndësishme për realizimin e tij”.

Sipas saj, ky festival është një prodhim i nivelit të lartë, që tregon se “RTSH ofron art dhe kulturë të vërtetë për publikun shqiptar”.

“Çdo fundvit RTSH ka përgatitjen më të madhe të muzikës në vend. Kjo traditë është ruajtur me shumë profesionalizëm nga ky institucion, por edhe nga këngëtarët. Këtë vit Festivali i Këngës përfaqësohet nga 30 krijime artistike. Si drejtoreshë e këtij festivali falënderoj ekipin e artistëve me nivel të lartë profesional, për të sjellë një festival të denjë dhe për të kënaqur shikueshmërinë, besnikët, nostalgjikët, si dhe për të tërhequr sa më shumë të rinj pranë Festivalit të Këngës. Një falënderim i veçantë shkon edhe për stafin e RTSH-së dhe diamantin e këtij festivali, Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Jemi këtu për t’i treguar publikut se ne bëjmë prodhime serioze, shumë me dinjitet, siç është edhe Festivali i Këngës 63”, u shpreh Polo.

Këngëtarët në garë dhe orkestra e RTSH

Do të jenë 30 artistë pjesëmarrës në Fest ’63, të cilët për ditë me radhë kanë bërë prova së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe bandën muzikore. Prej dy javësh i gjithë formacioni muzikor është zhvendosur në Pallatin e Kongreseve.

Këtë vit duket se këngët janë mjaft cilësore dhe do të jenë vetë freskia e festivalit.

Blerta Ristani, drejtoresha artistike e Orkestrës Simfonike, bëri të ditur se i ka dëgjuar të gjitha këngët dhe thekson se ka këngë jashtëzakonisht të bukura, si të këngëtarëve të rinj dhe atyre të afirmuar.

“Orkestra është në dispozicion absolut të festivalit. E shoh si elementin më kryesor dhe ndikon shumë në mbarëvajtjen e festivalit, pasi është formacioni më i qëndrueshëm. Të bësh një festival me një orkestër simfonike live, këtë e bënë vetëm RTSH”, u shpreh Ristani.

Një element kryesor i Festivalit të fundvitit është Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, e cila, pas përfundimit të stinës koncertore, i është përkushtuar tërësisht Festivalit të Këngës.

Dirigjentë të Orkestrës në katër netët e Fest 63 do të jenë disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit, por edhe të krijimtarisë dhe interpretimit instrumental, si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani.

Pjesë e orkestrës do të jetë edhe banda muzikore, i cili do të drejtohet nga kantautori Elton Deda. Sipas tij, prurjet muzikore të 30 artistëve pjesëmarrës janë mjaft të mira, duke shtuar se “këtë vit është punuar që këngët të jenë më afër bandës”.

Nga 30 artistë konkurrues në Fest ‘63, 16 prej tyre do të ngjiten për herë të parë në skenën e Festivalit të këngës në RTSH.

Këngëtarët në garë sipas rendit alfabetik

  1. Algert Sala 
  2. Alis 
  3. Ardit Çuni
  4. Devis Xherahu 
  5. Djemtë e Detit 
  6. Elvana Gjata 
  7. Endrik Beba 
  8. Epos 
  9. Erma Mici 
  10. Frensi Revania 
  11. Gjergj Kaçinari
  12. Gresa Gjocera 
  13. Jet 
  14. Kejsi Jazxhi 
  15. Klea Dina 
  16. Kleansa Susaj 
  17. Laorjan Ejlli & Adelina Correj 
  18. Lorenc Hasrama 
  19. Luna Çausholli 
  20. Mal 
  21. Martina Serreqi 
  22. Mihallaq Andrea 
  23. Nita Latifi 
  24. Orgesa Zaimi 
  25. Rea Nuhu 
  26. Ronaldo Mesuli 
  27. Santino de Bartolo 
  28. Shkodra Elektronike 
  29. Stine 
  30. Vesa Smolica

Rrënjët

Drejtoresha Artistike e Festivalit, Elhaida Dani, ka bërë të ditur se Fest 63 premton shumë emocione dhe surpriza.

Ajo deklarohet shumë entuziaste për këngët dhe artistët big, si dhe ata të rinj, për nivelin e lartë artistik që do të përcjellin këtë vit  festivali.

“Kemi arritur të marrim një vëmendje shumë të madhe nga publiku shqiptar, gjë që dëshmon se edhe pritshmëritë e publikut janë shumë të larta. Nuk do të jetë vetëm gara, por ne kemi edhe shumë të ftuar në festival, që performojnë muzikë moderne, që kanë dhënë shumë për vendin tonë. Gjëja kryesore që ne duam të bëjmë në këtë festival është të ndërthurim dy elementë që janë rrënjët dhe modernia. Tema e festivalit janë Rrënjët, që na kthejnë në atë që na ka bërë dhe kush jemi sot, rrënjët që na rrisin dhe na kthejnë në degët dhe lulet që të lulëzojmë dhe të krijojmë artin e të ardhmes.”, deklaroi muzikantja e njohur, njëkohësisht edhe Drejtoreshë Artistike e Fest 63, Elhaida Dani.

Tema e Festivalit të 63 të Këngës, "rrënjët", do të pasqyrohet edhe në skenografinë e skenës së Fest 63, duke sjellë për publikun në sallë, si dhe teleshikuesit, elemente të veçanta si kurrë më parë.

Koncepti është praktikisht në rrënjën e gjësë. Jemi frymëzuar nga rrënjët, sipas kërkesës së Drejtoreshës Artistike. Koncepti janë rrënjët, gjeneza, aty ku buron realisht muzika”, u shpreh edhe skenografi i Fest 63, Albi Çifligu.

Nën moton rikthimi te rrënjët e festivalit ndër vite, ky edicion premton emocione edhe surpriza të shumta edhe për autoren e Fest 63, Zefina Hasani.

Ky rikthim tek rrënjët do të jetë i demonstruar që në momentin e parë të hapjes të natës së parë. Edhe në këtë edicion kemi artistë si Mihallaq Andrea që vjen për herë të parë në festival dhe ka një karrierë të gjatë, ndërkohë që kemi dhe shumë të rinj që për hir të vërtetës i kemi jashtëzakonisht shumë të mirë”, u shpreh Hasani, Autore e Fest 63.

Moderatorët

Moderatorët e edicionit të 63-të të Festivalit të Këngës do të jenë Ornela Bregu dhe Enkel Demi.

Enkel Demi, i njohur edhe për karrierën e tij në Radio Tirana, e cilëson këtë ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme për çdo artist dhe audiencë.

“Unë e kisha mbyllur me festivalin dhe mendoja se nuk do e bëja më. Unë jam prodhim i Radio Tiranës dhe natyrisht do e pranoja një ftesë të tillë. Ky festival është fillimisht një prodhimi i Radios dhe pastaj i televizionit. Është një ngjarje që unë nuk kisha si të mungoja”, ka komentuar Demi ftesën për të qenë moderator i Fets 63.

Ndërsa Ornela Bregu ftesën për të qenë moderator e Fest 63, e cilësoi si një rikthim në RTSH, aty ku e ka nisur edhe karrierën e saj 27 vite më parë.  

“E pranova me shumë kënaqësi ftesën për t’u rikthyer në ekran dhe aq më tepër në RTSH, aty ku kam fillesat e mia 27 vite më parë. Është një përgjegjësi shumë e madhe. RTSH është shkalla më e rëndësishme për këdo që ka nisur një karrierë televizive dhe Festivali i Këngës është më i rëndësishmi në të gjithë festivalet e tjera”, ka thënë Bregu.

Nata e Nostalgjisë

Një festë e madhe pritet të jetë në Fest 63 edhe Nata e Nostalgjisë. Këngët që kanë bërë historinë e festivalit ndër vite do të vijnë të interpretuara në duete nga artistët pjesëmarrës të Fest 63.

Është një natë që edhe vitet e kaluara ka rezultuar më një pritshmëri të lartë. Arsyeja është e kuptueshme sepse janë këngë që janë kënduar ndër vite dhe që kanë bërë historinë ë muzikës së lehtë shqiptare. Këngët këtë vit do të këndohen në duet nga konkurentët tanë dhe jo me të ftuar të tjerë, siç kemi bërë vitet e kaluara”, informon maestro Alfred Kaçinari.

Sipas tij, këngët që do të paraqiten në natën e nostalgjisë do të vijnë të ri orkestruara.

Pjesa që ne na tërheq më shumë është se këto këngë do të vijnë të ri orkestruara dhe secili prej orkestruesve sjell një këndvështrim të ndryshëm nga ai që ka qenë më parë. Kjo e bën shumë interesante këtë natë”, ka komentuar Kaçinari.

Të ftuarit special

Reperi i njohur shqiptar, Noizy, do të jetë pjesë e Festivalit të 63-të të Këngës në RTSH, por jo si konkurrent. Artisti i njohur do të ngjitet në skenën prestigjioze të Festivalit si i ftuar special i natës së parë, ku do të performojë së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.

Kjo është hera e parë që Noizy, një nga artistët më të suksesshëm të muzikës shqiptare, ngjitet në skenën e Festivalit të Këngës në RTSH.

Për Noizy-n, kjo është një mundësi për të treguar anën tjetër të artit të tij në një platformë historike, e cila tradicionalisht lidhet me përzgjedhjen e këngës përfaqësuese të Shqipërisë në Eurovizion. Pjesëmarrja e artistit synon të afrojë publikun e ri me Festivalin e Këngës, duke sjellë një frymë më moderne dhe energji të re në këtë ngjarje tradicionale.

Edhe Slimane, këngëtari i famshëm francez, do të jetë i ftuar special në natën e parë të Fest 63, duke sjellë një performancë që pritet të jetë një nga momentet kulmore të festivalit. Ai përfaqësoi Francën në Eurovizion 2024 me këngën e tij "Mon Amour", një hit që pas suksesit në Eurovizion bëri jehonë ndërkombëtare.

Kënga e tij pasqyron ndjenjat e dashurisë dhe fuqinë e emocioneve dhe është tashmë kënga franceze më e klikuar në botë. Vetëm 24 orë pas publikimit ajo arriti mbi 2 milionë dëgjime në Spotify, duke thyer rekorde për muzikën franceze.

Me një karrierë 8-vjeçare, Slimane  është një yll ndërkombëtar. Ai ka shitur mbi 2 milionë albume në mbarë botën dhe ka mbushur arena të mëdha me mbi 1.5 milion bileta të shitura gjatë turneve të tij. Si një artist shumë i vlerësuar, Slimane është fitues i një Grammy francez dhe ka rrëmbyer plot 8 çmime NRJ Music Awards.

Prania e Slimane në Fest 63 është e shumëpritur. Ai do të sjellë jo vetëm energjinë e Eurovizionit në skenën shqiptare, por ka rezervuar edhe një surpizë për publikun shqiptar.

Në prapaskenat e Fest 63

Festivali i Këngës në RTSH nuk do të jetë vetëm një garë mes artistësh, por edhe një përjetim i fortë emocionesh. Një hap larg skenës do të jenë edhe gazetari dhe moderatori i RTSH-së Andri Xhahu, sëbashku me moderatoren, Alesia Burnazin, në këndin e ndërtuar posaçërisht për artistët në garë.

Xhahu shprehet se është shumë mirënjohës që bashkë me Alesian, i është besuar këndi që do t’i dedikohet të gjithë artistëve dhe emocioneve që nuk mund të shihen në skenë.

“Do të zbulojmë gjithçka aty, dridhje duarsh, emocione, zhgënjim nga një stonim, nuk dëgjojnë mirë apo nuk kanë ardhur ndoshta njerëzit e tyre në sallë. Nga ana tjetër edhe emocionet të cilat kanë të bëjnë me gjithçka ndodh me përgjegjësinë e madhe të Festivalit të Këngës”, komenton Xhahu.

Ndërsa Burnazi tregon se ndjehet e emocionuar, ndërsa vlerëson besimin që i është dhënë në këtë event.

“Për mua është hera e parë dhe jam pak e emocionuar, por mendoj se nuk krahasohet me emocionet e artistëve që do t’i sjellim live për publikun në RTSH24 në prapaskenën e Festivalit. Po e marr si një sfidë personale dhe një kujtim të bukur që uroj ta kem në memorien time shumë kohë", tha Burnazi.

/rtsh.al/