RTSH 24 Live

Sociale

Bashkia e Tiranës jep 1200 kredi të buta për çiftet e reja, Veliaj: Aplikoni deri më 13 janar në e-Albania

17/12/2024

Bashkia e Tiranës jep 1200 kredi të buta për çiftet e reja, Veliaj: Aplikoni deri më 13 janar në e-Albania

Gjatë fjalës së tij në dëgjesën e radhës për buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2025, kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri sërish thirrje familjeve dhe çifteve të reja, që të aplikojnë për të përfituar nga interesat e kredisë së butë.

“Sapo kemi hapur aplikimet për një super program. E falenderoj shumë ministrin Gonxhja dhe Ministrinë e Ekonomisë, e cila i përditësoi çmimet pronave me 2024-ën. Ne vërtet jepnim kredi të buta më parë, po kishim ngelur te çmimet e para 10 viteve, kur e filluam këtë punë. Për 1200 çifte të reja mund të aplikohet në e-Albania deri në datën 13 janar. Nga 13 janari, komisionet do të verifikojnë me pikëzim të gjithë ata që e meritojnë dhe ju them të gjitha njësive administrative që t’i orientojnë ato çifte që keni në komunitetin tuaj dhe që duan ndihmë, si të aplikojnë, t’i njohin me dokumentet bazë që nevojiten”, sqaroi Veliaj.

Veliaj: “Investojmë te punët e së ardhmes, që fëmijët të kenë fillim të barabartë”

Turizmi, teknologjia dhe ekonomia ishin temat kryesore në të cilat u ndal kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në dëgjesën e fundit për Buxhetin 2025. Nga shkolla “Besnik Sykja”, ai tha se Tirana po përjeton një bum turistik, si i vetmi qytet ku turistët e vizitojnë në çdo ditë të vitit.

“Bumi i turizmit në Tiranë është 12 muaj. Në qoftë se në qytetet e tjera në bregdet, me të gjitha mrekullitë që ofron bregdeti ynë, po në fund të shtatorit - fillim të tetorit mbyllet, Tirana është i vetmi qytet me turizëm 365 ditë. Mjafton të shikoni se si edhe tregu i fundvitit te sheshi “Skënderbej”, apo të gjitha aktivitetet e tjera nëpër lagje, në shumicën e rasteve vizitohen më shumë nga turistët se sa vendasit. Kjo Tregon se praktikisht, administrata jonë i shërben ‘2 qyteteve’, qytetit të atyre që jetojnë në Tiranë, por edhe një qyteti të vizitorëve, që ka shtuar sfidat tona”, u shpreh Veliaj.

Mandej, ai shtoi se Bashkia e Tiranës është një gjenerator ekonomie, kur tha se në Zonën e Lirë Ekonomike, që po ndërtohet në Kashar, do të mund të punësohen rreth 7 mijë persona.

“Bashkia e Tiranës është fuqia e dytë shpenzuese, pas qeverisë qendrore. Kjo është arsyeja pse ne po kultivojmë disa hapësira të reja, siç është Zona e Lirë Ekonomike mes Kombinatit e Kasharit, për ta kthyer në hapësirën më të madhe ekonomike të Shqipërisë dhe për t’u siguruar që 5-7 mijë vetë punojnë për punët e së ardhmes. Një ndër projektet që kemi është si do i përgatisim çunat e gocat tanë për punët e së ardhmes. Kjo është arsyeja pse jemi sot i vetmi qytet në Evropë, që për të gjithë fëmijët nga mosha 12-18 vjeç i kemi kurset e teknologjisë falas te Piramida”, vijoi Veliaj.

Për këtë arsye, kryebashkiaku nënvizoi faktin se do vijojnë investimet për teknologjinë dhe punët e së ardhmes.

“Duam shumë që, përveç se të vazhdojmë me kurset në qendrën Tumo, të bëjmë të njëjtën gjë edhe për moshat mbi 18 vjeç. Kjo është arsyeja pse duam të investojmë te qendra tjetër, që vjen nga Franca, Ecole-42, e cila është për moshën 18-21 vjeç, ku prapë e paguan Bashkia e Tiranës edukimin e atyre që duan t’i futen kësaj rruge. Pas asaj do vazhdojmë me ‘Plug & Play’, një tjetër ekosistem për moshat mbi 22 vjeç, për ata që jo vetëm duan dije, por duan edhe të fillojnë një biznes. Do jemi qyteti i parë në Ballkan, kur vjen puna tek teknologjia, informacioni, inteligjenca artificiale, realitete të augmentuara, te të gjitha zanatet e së ardhmes. Nëse ne themi se si të majtë besojmë që fillimi duhet të jetë njësoj për të gjithë, atëherë fëmijët do të duhet të  ushqehen të gjithë njësoj, siç e bëjmë në çerdhe, në kopsht, edhe vitin tjetër në shkollat tona. Fëmijët do të duhet që t’i marrin të gjithë njësoj aftësitë e së ardhmes, siç e bëjnë ata që kanë mundësi, ashtu edhe të tjerët te Piramida.  Pra, një fillim i barabartë, për të gjithë çunat e gocat e Tiranës sonë”, tha ai.

Veliaj fton gjyshet dhe gjyshërit të regjistrohen në njësi për të marrë abonenë e përgjithshme falas

Nga shkolla “Besnik Sykja”, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj rikujtoi sërish pensionistët e qytetit, që të paraqiten pranë njësisë së tyre administrative për të aplikuar dhe për të marrë më pas falas abonenë e përgjithshme të autobusit. Ai tha se qindra pensionistë tashmë janë regjistruar dhe kur të dalë aboneja e muajit pasardhës, do ta marrin atë falas në njërën nga 5 pikat e vendosura në qytet.

“Kemi pasur një fluks në të gjitha njësitë administrative për t’u regjistruar për abonenë falas. Në dallim nga bonusi i qeverisë që jepet cash, ky është një bonus që do të jepet çdo muaj, me një abone 16 mijë lekëshe falas. Gjyshi ose gjyshja mjafton të paraqitet vetëm nje herë pranë njësisë së tij administrative për të vërtetuar që janë qytetarë të Tiranës. Duhet vetëm një kartë identiteti. Kemi pasur qindra qytetarë që kanë vajtur te njësitë administrative dhe deri në datën 25 dhjetor secili është i lutur të paraqitet. Bëhet një regjistrim me skaner, pra futesh në një sistem, që kur pastaj në datën 25 dhjetor deri në datën 1 janar të dalin abonetë në pikat që do të njoftohen nga Bashkia, shtetasi,  pensionisti ose pensionistia, shkon vetëm me kartën e identitetit dhe një fotografi, merr abonenë e përgjithshme, ashtu siç e ka marrë gjithmonë, por kësaj herë pa pagesë”, sqaroi Veliaj.

/rtsh.al/