RTSH 24 Live

Aktualitet

Komisioni i Ekonomisë diskuton projektligjin “Për lojërat e fatit”

07/12/2023

Komisioni i Ekonomisë diskuton projektligjin “Për lojërat e fatit”

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat diskutoi të enjten projektligjin “Për lojërat e fatit”.

Kryetari i Komisionit, Eduard Shalsi theksoi se ligji i draftuar më herët ka mangësi në disa fusha, si kontrolli i basteve online, monitorimi i platformave dhe menaxhimi i tyre nga shteti, jo nga sektori privat.

Shalsi theksoi se gjatë diskutimeve në Komision është kërkuar që procedura për licencimin për 10 vite të kalojë nëpër dy faza, duke përfshirë kriterin e pikëzimit të kombinuar me shumën e investimit.

Një tjetër propozim i bërë nga deputetët në komision, tha ai, është një sistem monitorimi për të shmangur manipulimin e platformave të basteve online.

“Rreziku më i madh vjen nga manipulimi i platformave, nga lojtarët fiktiv apo ndërhyrjet në koeficientët e lojërave. Sugjerimi i dytë ka të bëjë me një sistem tek t cili do të lërë gjurmë për të gjitha transaksionet e bëra në kompanitë e lojërave të basteve sportive live. Ka një koncesion të dhënë disa vite më parë që do të mbetet në fuqi për shkak të kontratës, ndërkohë sugjerohet që të vendoset në ligj që ky lloj sistemi të jetë i monitoruar në kohë reale në një platformë që do të sigurojë mos manipulimin e tyre”, tha Shalsi.

Kazinotë online ishin një tjetër kërkesë e komisionit për t’u përfshirë në projektligj.

“Kemi kazino fizike, por ligji nuk parashikon kazinotë online. Ka një treg kazinosh online ilegal. Nuk kemi marrë përgjigje se pse janë përjashtuar kazinotë online. Nëse kazinotë online përbëjnë konkurrence për kazinotë fizike, nuk përbën argument për të mos u ngritur. Nëse ka kazino online që zhvillohet ilegalisht duhen gjetur instrumentet për ta formalizuar. Na intereson të disiplinojmë aktivitet të gjenerojmë të ardhura që shkojnë për të financuar projekte”, u shpreh Shalsi.

Kreu i Komisionit deklaroi se nevojitet një ligj i ri për funksionimin e lojërave të fatit, pasi sado rregullime të kryhen janë të pamjaftueshme për ta bërë atë të plotë, integral e modern.

“Ndryshimet synojnë zhvillimin e këtij tregu, por paralel të ngrihet një grup pune për  hartimin e një ligji të ri, që është i domosdoshëm për të adresuar më saktë problematikat që dalin”, tha Shalsi.

/ rtsh.al /