RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni hetimor “TIMS”, mazhoranca pro kërkesës së Hysenit për mbledhje me dyer të mbyllura

02/07/2024

Komisioni hetimor “TIMS”, mazhoranca pro kërkesës së Hysenit për mbledhje me dyer të mbyllura

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit Vlora Hyseni e pranishme në mbledhjen e komisionit hetimor për TIMS, për seancën dëgjimore si dëshmitare, ka kërkuar zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura.

Si drejtuese e SHISH vlerësoj detyrimin kushtetues për raportim. Në asnjë rast SHISH nuk i është shmangur raportimit para komisionit të Kuvendit.

Lidhur me objektin e raportimit të sotëm, kërkoj që seanca të zhvillohet e mbyllur dhe me pjesëmarrjen e deputetëve me certifikimin e duhur”, u shpreh Hyseni.

Kërkesa e saj është kundërshtuar nga deputetët demokratë, sipas të cilëve mbledhja me dyer të mbyllura do zhvillohej vetëm në raste të informacioneve të klasifikuara.

Pas propozimit të kreut të këtij komisioni, Ervin Salianji për zhvillimin e mbledhjes me dyer të hapura, mazhoranca ka vendosur më anë të votës, ta hedhë poshtë këtë propozim.

“Ky është komision hetimor dhe nuk ka të bëjë me raportimin e punës suaj në krye të SHISH, dhe përgjegjës për këtë raportim është komisioni i sigurisë dhe me kërkesën e kolegëve të PS të jemi në atë komision, deri më sot nuk kemi arritur t’iu dëgjojmë. Në raport me thirrjen sot për të dëshmuar, ju jeni sot këtu dhe s’mund të themi më shumë.

Nuk shoh elementë që të përbëjë sekret shtetëror dhe puna e institucioneve të sigurisë dhe e SHISH, duhet të ishte më e lartë për të parandaluar një ngjarje që mund të parandalohej.

8 muaj më pas i është refuzuar certifikata e sigurisë një prej dëshmitarëve që kemi pasur këtu, së është sot drejtor i departamentit të IT në policinë e shtetit.

Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me aspekte procedurale, propozoj që mbledhja të bëhet e hapur dhe drejtoresha e SHISH në çdo rast që ka informacion të klasifikuar mund të kërkojmë për atë pjesë mbledhjen me dyer të mbyllura.

Sepse deri më sot jemi njohur me të dhëna që as nuk mund të imagjinoheshin deri në nisje të këtij komisioni hetimor që do kishin ndodhur në këto përmasa”, u shpreh Salianji.

Më pas, komisioni ka hedhur në votim, kërkesën e drejtueses së SHISH për zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura, e cila falë 8 votave pro të mazhorancës ka vijuar jashtë syrit të medias.

/rtsh.al/