RTSH 24 Live

Politikë

Komisioni hetimor “McGonigal”, Felaj: Opozita falsifikoi firmat, Këlliçi e Bylykbashi janë jashtë shtetit

07/02/2023

Komisioni hetimor “McGonigal”, Felaj: Opozita falsifikoi firmat, Këlliçi e Bylykbashi janë jashtë shtetit

Firmat e opozitës mbi kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për çështjen “McGonigal”, janë bërë objekt debati mes pozitës dhe opozitës. Sipas socialistëve, në dokumentin e firmosur nga deputetët e opozitës, ka firma të falsifikuara.  

Deputetja e PS, Ermonela Felaj, nëpërmjet një postimi adresën e saj në Facebook, shprehet se sjellja e opozitës është denigruese, “pasi disa prej deputetëve kanë falsifikuar firmat”.

Pretendimin deputetja e shoqëron edhe me disa dokumente, në të cilat shihen firmat e deputetëve të opozitës.

“A ka sjellje më degraduese për Parlamentin dhe për të ashtuquajturën opozitë, sesa të falsifikojë nënshkrimet e deputetëve të vet, në dokumente, të cilat i drejtohen Kuvendit?! Kaq hapur bëhet kjo, saqë edhe kur deputetët janë jashtë vendit, p.sh, Belind Këlliçi dhe Oerd Bylykbashi, figurojnë sikur të kenë qenë këtu e të kenë firmosur.”- shkruan Felaj.

 

Sipas saj, është lehtësisht i dukshëm dhe i verifikueshëm manipulimi në letra, për të plotësuar kriterin numerik që disa kërkesa të vihen në lëvizje nga Kuvendi.

 “Këtë herë është koha që falsifikatori ose falsifikatorja të zbulohet. Ekspertimi grafik e konfirmon këtë. Dhe jo vetëm kaq, por edhe të sanksionohet, si çdo qytetar tjetër në R.Sh, për krimin e falsifikimit të dokumentave të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal. Stop falsifaktorëve dhe gënjeshtarëve që betohen për shtet, për parlamentarizëm, për opozitë, por nuk bëjnë dot as më shumë dhe as më pak sesa çdo kundravajtës i rëndomtë i ligjit penal”- shkruan Felaj.

 /rtsh.al/