RTSH 24 Live

Botë

Kina dhe Brazili vazhdojnë me planin e paqes në Ukrainë, pavarësisht refuzimit të Zelensky

4 orë para

Kina dhe Brazili vazhdojnë me planin e paqes në Ukrainë, pavarësisht refuzimit të Zelensky
 

Kina dhe Brazili kane vazhduar me përpjekjet për të mbledhur vendet në zhvillim sipas një plani për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, pavarësisht se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky refuzoi iniciativën duke e quajtur atë në shërbim të interesave të Moskës, sipas Reuters.

Shtatëmbëdhjetë vende morën pjesë në një takim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – të kryesuar nga ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, dhe këshilltari brazilian për politikën e jashtme, Celso Amorim.

Wang u tha gazetarëve se vendet pjesëmarrëse kishin diskutuar nevojën për të parandaluar përshkallëzimin e luftës dhe për të shmangur përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, si dhe për të parandaluar sulmet ndaj centraleve bërthamore.

“Rusia dhe Ukraina janë fqinjë që nuk mund të largohen nga njëra-tjetra dhe miqësia është e vetmja mundësi realiste”, tha Wang, duke shtuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë një konferencë paqeje që përfshin Rusinë dhe Ukrainën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur pas një takimi me Wang, nënvizoi shqetësimet e mëdha të SHBA-së për mbështetjen e Kinës për bazën industriale të mbrojtjes ruse.

Duke iu drejtuar gazetarëve, Blinken tha se Kina, duke thënë se kërkon t’i japë fund konfliktit të Ukrainës, po i lejon kompanitë e saj të ndërmarrin veprime që në fakt po e ndihmojnë Putinin të vazhdojë agresionin. “Kjo nuk vlen”, theksoi ai.

Presidenti kinez, Xi Jinping nënshkroi një marrëveshje partneriteti “pa kufij” me presidentin rus Vladimir Putin në vitin 2022, më pak se tre javë përpara se trupat ruse të hynin në Ukrainë.

Pekini tha se nuk e ka furnizuar Rusinë me armë për përdorimin e tyre në Ukrainë, por vendet perëndimore besojnë se kompanitë e tij ofrojnë materiale që Rusia përdor në prodhimin e armëve për luftë.

Zelensky, në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mërkurën, pyeti pse Kina dhe Brazili po propozonin një alternativë tjetër kundrejt formulës së tij të paqes.

“Propozimi i alternativave, planeve të zgjidhjes me gjysmë zemre, të ashtuquajturat grupe parimesh do t’i jepte Moskës hapësirën politike për të vazhduar luftën”, tha ai. 

/ rtsh.al /