Institucioni kryesor islamik në Rusi e ka miratuar një dekret fetar që ua mundëson burrave myslimanë praktikimin e poligamisë, ndonëse është në kundërshtim me ligjin rus që ua ndalon individëve përfshirjen në disa martesa njëkohësisht.
Këshilli i Klerikëve Islamikë të Administratës Spirituale të Myslimanëve të Rusisë, e ka lëshuar një dekret më 18 dhjetor që ua mundëson burrave përfshirjen në deri katër martesa në të njëjtën kohë, për aq kohë sa plotësohen të gjitha kushtet.
Kodi i Familjes në Rusi ia ndalon një individi regjistrimin e martesës me një person që veçse është i martuar.
Mirëpo, vendimi duket se është marrë teksa autoritetet ruse janë në hall me situatën demografike dhe uljen e numrit të popullsisë, të shkaktuar edhe nga emigrimi, shkalla e ulët e lindshmërisë dhe mortaliteti i lartë.
Ndonëse dekreti i plotë nuk është publikuar ende, në raportimet e agjencive ruse të lajmeve, TASS dhe RIA Novosti janë përmendur pikat kyçe që ia mundësojnë një burri mysliman përfshirjen në martesa të shumëfishta.
Dekreti përcakton se një burrë mund të jetë i përfshirë në poligami nëse u garanton trajtim të barabartë të gjithë grave që ka. Aty përfshihen kushtet materiale, banimi i veçantë për secilën grua, dhe ndarja e kohës së barabartë.
Nëse një burrë nuk i përmbush këto kushte, atij i ndalohet përfshirja në martesa të shumëfishta, përveç nëse gratë nuk kanë ndonjë mospajtim.
Në mesin e kushteve tjera përmenden edhe ato nëse gruaja e parë nuk mund të mbetet shtatzënë për arsye shëndetësore, apo kur një burrë dëshiron të ofrojë mbështetje sociale dhe financiare për më shumë gra.
Zyrtarët rusë nuk e kanë komentuar ende këtë dekret.
Megjithatë, Qeveria ruse ka tentuar vazhdimisht të bindë qytetarët e vet që të kenë më shumë fëmijë, dhe ka promovuar politika për familje më të mëdha.
Edhe Kisha Ortodokse Ruse i ka ndihmuar Qeverisë në promovim të këtyre politikave.
Sipas REL
/ rtsh.al /