RTSH 24 Live

Politikë

Këshilli i Sigurimit/ Shqipëri-SHBA organizojnë takimin mbi sigurinë kibernetike! Xhaçka: Sulmet, kërcënim për paqen

26/05/2023

Këshilli i Sigurimit/ Shqipëri-SHBA organizojnë takimin mbi sigurinë kibernetike! Xhaçka: Sulmet, kërcënim për paqen

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvillon këtë të premte (26 maj) takimin e bashkëorganizuar nga Shqipëria dhe SHBA mbi sigurinë kibernetike.

Duke folur mbi sfidat që ka sjellë siguria kibernetike, Ministrja Xhaçka, e cila bashkëdrejtori takimin me  Përfaqësuesen e Përhershme e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield, theksoi se interneti dhe teknologjia nuk janë dhe nuk duhet të përdoren si armë, por se ato duhet të mbeten mjete e forca për të mirën e përbashkët.

"Na takon ne të përcaktojmë rrugën që duhet të marrë teknologjia. Duke identifikuar dhe dënuar sjelljen në kundërshtim me normat ligjore të shtetit dhe duke inkurajuar veprime pozitive për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës kibernetike, Këshilli i Sigurimit mund të zvogëlojë rrezikun e konfliktit që rrjedh nga veprimet keqdashëse. Shqipëria rithekson pozicionin e saj në favor të një hapësire kibernetike globale, të hapur, të lirë, të qëndrueshme dhe të sigurt, ku respektohen ligjet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në dobi të zhvillimit social, politik dhe ekonomik”, tha Xhaçka e cila shtoi se aktualisht më shumë se 1200 shërbime kryesore qeveritare ofrohen online. Ajo vuri theksin te dixhitalizimi, që sipas saj kërkon një hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, të qëndrueshme dhe të sigurt.

Por përpos treguesve pozitive, përparimi i shpejtë teknologjik mbart gjithashtu rreziqe dhe sfida. Në këtë kuadër, Ministrja shprehu shqetësimin mbi rritjen alarmante të sulmeve kibernetike që synojnë shtetet dhe infrastrukturat e tyre jetike. Këto sulme sipas Ministres, përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe duhen trajtuar si të tilla.

Vetëm këtë vit, më shumë se dyzet sulme kibernetike kanë prekur 19 vende. Sulmi kibernetik në Shqipëri, kemi prova të padiskutueshme se u orkestrua dhe u sponsorizua nga Irani. Dëmi u frenua, por ishte një dëshmi e brutalitetit të aktivitetit keqdashës kibernetik. Akte të tilla përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe duhet të trajtohen si të tilla”, tha ajo.

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield, u shpreh se siguria ndërkombëtare kibernetike mbetet një prioritet global, teksa nënvizoi se Këshilli i Sigurimit duhet të marrë një rol udhëheqës në ngritjen e ndërgjegjësimit, dënimin dhe mbajtjen përgjegjës të aktorëve për aktivitete keqdashëse kibernetike.

Është koha që vullnetin e mirë ta kthejmë në veprime konkrete. Ne mezi presim të punojmë me të gjitha shtetet anëtare për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët për një hapësirë kibernetike të hapur, të sigurt dhe të qëndrueshme, nga e cila përfitojmë të gjithë ne”, deklaroi ajo.

Nënsekretarja e Përgjitshme dhe Përfaqësuesja e Lartë e Zyrës së OKB për Çarmatimin (UNODA), Izumi Nakamitsu, deklaroi se parimi i llogaridhënies është thelbësor për të trajtuar shqetësimet mbi besimin dhe mosbesimin në hapësirën kibernetike.

“Detyra kryesore për shtetet anëtare është të marrin në konsideratë se si të zbatojnë normat e sjelljes së përgjegjshme të shtetit në mënyrë që ato të bëhen funksionale”, shtoi ajo.

Takimi ‘Arria Formula’ me temë “Përgjegjësia dhe reagimi i shteteve ndaj sulmeve kibernetike” u bashkëorganizua nga Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara.

Takimi kishte në thelb trajtimin e sigurisë kibernetike, si një çështje kyçe në përgjegjësinë e Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

/rtsh.al/