RTSH 24 Live

Aktualitet

Keqtrajtimi i fëmijëve në shkolla, sociologia Todhri: Institucionet të monitorojnë, të mos flenë gjumë

08/11/2023

Keqtrajtimi i fëmijëve në shkolla, sociologia Todhri: Institucionet të monitorojnë, të mos flenë gjumë

Sociologia Fiona Todhri ka analizuar ngjarjen e fundit të dhunimit të një 3-vjeçareje nga edukatorja në një nga kopshtet e Tiranës si dhe fenomenin e keqtrajtimit të fëmijëve në shkolla. 

Duke iu referuar këtij rasti në studion e emisionit “Ekspres”, Todhri shpjegoi se ekzistojnë të gjitha protokollet se si duhet të funksionojnë kopshtet në vend por që shumë pak gjejnë zbatueshmëri.

Për këtë arsye, ajo theksoi se institucionet në Shqipëri duhen të ngrenë alarmin, veçanërisht Ministria e Arsimit.

Patjetër që i kemi standardet, i kemi të shkruara, ka guidë, ka protokolle. Ministria duhet t’i ketë. Por ne e kemi zakon në Shqipëri që ajo që është e shkruar jo detyrimisht gjen zbatueshmëri. Kjo te ne duhet të bëjë që institucionet tona të alarmohen, si publike dhe ato private, pa paragjykuar institucionet private që mund të jenë shumë të mira dhe mund të ofrojnë atë lloj shërbimi për të cilin njerëzit paguajnë”, u shpreh Todhri.

Sa i përket rastit të dhunimit të 3-vjeçares nga edukatorja, sociologia Todhri nënvizoi se institucionet duhet të rrisin monitorimin dhe të mos flenë gjumë.

Për këtë rast unë mendoj që mund të jetë gabim profesional, mund të jetë edhe mungesë eksperience, mund të jetë edhe dashakeqësi në lidhje me personin. Mund të mos jetë asnjëra nga këto që them unë, por siç është edhe shprehja “frika ruan vreshtin”, edhe institucionet në këtë rast duhet të monitorojnë dhe të mos flenë gjumë”, shtoi më tej Todhri në emisionin "Ekspres" të gazetarit Nolian Nole. 

/rtsh.al/