RTSH 24 Live

Aktualitet

Kalvari i "21 janarit" në Gjykata, SPAK çel zyrtarisht hetimin, nis marrja në pyetje

22/07/2024

Kalvari i "21 janarit" në Gjykata, SPAK çel zyrtarisht hetimin, nis marrja në pyetje

Drejtësia shqiptare ka dhënë 4 vite burg në total për katër jetët e ndërprera në mes në demonstratën e 21 janarit. Hetimi i ngjarjes çoi si të pandehur dy gardistë për vrasjen e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt, por la pa autor vrasjen e Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës.

Gjykimi i dy ish-gardistëve, Agim Llupo dhe Ndrea Prendi nisi në maj 2012.

Në prag të mbylljes së gjyqit prokurorët kërkuan 23 vjet burg për Prendin dhe 25 vite për Llupon. Argumentet e prokurorisë nuk bindën gjykatën. Në shkurt 2013 tre gjyqtarë të kryeqytetit zhveshën të pandehurit Ndreu e Llupo nga akuza e “vrasjes” dhe i shpallën të pafajshëm.

Verdikti i pafajësisë nxori nga qelia Llupon, i cili u gjykua në masën “arrest në burg”.

Për vrasjen e Aleks Nikës, hetimi nuk zbuloi asnjë autor të dyshuar. Predha që i mori jetën ishte dëmtuar aq shumë, sa arma e krimit s’mund të identifikohej.

Pas shtatë muajsh, tre gjyqtarët e Apelit prishën vendimin e Shkallës së Parë, duke ndryshuar kualifikimin e veprës penale që u rëndonte të akuzuarve.

Nga akuza për “vrasje me dashje”, Ndrea Prendi u fajësua për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe u dënua me 1 vit burg.

Për Agim Llupon Apeli dha 3 vjet burg për “vrasje nga pakujdesia” të Ziver Veizit. Pas mbetjes pa autor të vrasjes së Aleks Nikës, Apeli i Tiranës la pa autor edhe vrasjen e Hekuran Dedës.  

Procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve për vrasjet e 21 janarit i vuri kapak Gjykata e Lartë në prill 2016. Pas 4 vitesh “pezull”, Kolegji Penal vendosi të mos pranojë rekursin e bërë nga prokuroria kundër vendimit të Apelit.

Familjarët e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës iu drejtuan gjykatës me padi civile për dëmshpërblim financiar nga Garda dhe Ministria e Brendshme. Çështja u dërgua edhe në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Çështja u zgjidh me pajtim mes paditësve dhe qeverisë shqiptare në prill të vitit 2017.

Qeveria i akordoi një fond 160 milionë lekë shtesë Ministrisë së Brendshme, për të dëmshpërblyer familjarët e viktimave.

Nga ana tjetër, familja Nika kishin vijuar procesin ligjorë duke kërkuar hetim të veçuar për vrasjen e Aleks Nikës.

Në vitin 2020, Prokuroria e Tiranës i pezulloi hetimet edhe vrasjen e Aleks Nikës që kishte mbetur pa autorë për t’i rihapur sërish në 2021 por deri me tani asgjë e re nuk doli nga këto hetime.

Familja e Aleks Nikës ka kërkuar vazhdimisht që kjo çështje ti kaloj për hetim SPAK por ky i fundit nuk pranonte te hetonte një çështje e cila po hetohej njëkohësisht edhe nga Prokuroria e Tiranës.

Në 14 nëntorit 2023, Gjykata e Strasburgut vendosi që për çështjen e Aleks Nikës t’i hapë rrugë hetimit të munguar. Me anë të këtij vendim familja Nika ju drejtua Gjykatës së Lartë.

U desh një vit që Gjykatën e lartë të dilte më një vendim ku urdhëroi SPAK të regjistroi kallëzimin e familjes Nika dhe të hetoj 21 Janarin.

Vrasja e Aleks Nikës dhe ngjarja e 21 Janarit do të hetohet nga SPAK nga prokurori Alfred Shehu.

Tashmë është përcaktuar një kalendar i qartë hetimi pas marrjes në pyetje të familjarëve të Aleks Nikës do të merren në pyetje edhe familjarët e 3 viktimave të tjera si dhe dëshmitarë të asaj dite.

RTSH