RTSH 24 Live

Botë

Japonia forcon rregullat për udhëtarët me biçikletë

02/11/2024

Japonia forcon rregullat për udhëtarët me biçikletë

Japonia ka miratuar ligje të rrepta për udhëtarët me biçikletë. Sipas këtyre ligjeve ata mund të burgosen nëse përdorin celularët gjatë drejtimit të biçikletës, apo nëse ngasin atë nën ndikimin e alkoolit.

Sipas ndryshimit të ligjit të trafikut rrugor, udhëtarët që kapen duke përdorur telefona për çfarëdo qëllimi, mund të përballen me deri në gjashtë muaj burg ose gjoba deri në rreth 600 euro, njofton Kyodo News me seli në Tokio. Në rast aksidenti, dënimet rriten në një vit burg ose gjoba deri në rreth 1.800 euro.

Ligji gjithashtu ashpërson sanksionet për ngasjen e biçikletës nën ndikimin e alkoolit. Udhëtarët me biçikletë me nivele alkooli në frymëmarrje që tejkalojnë 0,15 miligramë për litër mund të përballen me tre vjet burg ose gjoba deri në rreth tre mijë euro, ndërsa ata në gjendje të dehur do marrin dënime maksimale prej pesë vjet burg ose një gjobë prej gjashtë mijë euro. 

Masat më të rrepta vijnë në mes të rritjes së aksidenteve ku janë të përfshirë përdoruesit e biçikletave në Japoni. Numri i çiklistëve në Japoni është shtuar që nga pandemia COVID-19, e cila nxiti më shumë njerëz të përdorin biçikleta për transport.

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /