RTSH 24 Live

Botë

Izraeli kundërpërgjigjet ndaj sulmit të Hamasit, raketa mbi Rafah, vriten 35 persona

27/05/2024

Izraeli kundërpërgjigjet ndaj sulmit të Hamasit, raketa mbi Rafah, vriten 35 persona

Të paktën 35 persona kanë humbur jetën si pasojë e një sulmi izraelit në një kamp për personat e zhvendosur në  Rafah. Lajmi u bë me dije nga Ministria e Shëndetësisë së Gazës, e cila shtoi se në mesin e viktimave dhe të plagosurve, shumica janë gra dhe fëmijë.

Autoritetet dhe mjekët e Gazës thonë se sulmi goditi një kamp zhvendosjeje që ishte caktuar nga Izraeli si një "zonë e sigurt".

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thanë se bombardimi goditi një kompleks militant në zonë, duke vrarë  dy zyrtarë të lartë të Hamasit.

Presidenca e Autoritetit Palestinez i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë menjëherë. Hamasi e përshkroi sulmin si një "masakër" dhe tha se ai mban përgjegjës administratën amerikane dhe presidentin amerikan Xho Bajden (Joe Biden).

Mjekët pa Kufij (MSF)  shprehën tmerrin  pas sulmit ajror, duke thënë se ai "tregon edhe një herë se askund nuk është i sigurt".

Sulmi izraelit në Rafah erdhi si kundërpërgjigje ndaj tetë raketave të lëshuara nga Hamasi. Kjo shënon herën e parë që raketa janë hedhur në qytet që nga fundi i janarit. Hamasi mori përgjegjësinë për sulmin dhe IDF tha se "një numër predhash" u kapën.

/rtsh.al/