RTSH 24 Live

Botë

Izraeli evakuon me forcë spitalin e Gazës

29/12/2024

Izraeli evakuon me forcë spitalin e Gazës

Forcat izraelite kanë arrestuar dhe marrë në pyetje stafin mjekësor të spitalit Kamal Adwan, një nga spitalet e fundit të mëdha në veri të Gazës, pas një operacioni që solli evakuimin e detyruar të tij. Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, ka konfirmuar se drejtorit të spitalit, Dr. Hussam Abu Safiya, i është kërkuar të jepte shpjegime nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF), të cilat e kanë akuzuar si “operativ terrorist të Hamasit” pa dhënë prova konkrete.

Përveç arrestimeve, sulmet ajrore izraelite të premten i kanë marrë jetën rreth 50 njerëzve, përfshirë stafin mjekësor, të cilët ishin afër spitalit. IDF ka deklaruar se operacioni u krye pasi spitali ishte një "bastion i terroristëve të Hamasit".

Në këtë situatë, rreth 15 pacientë kritikë dhe 70 persona të tjerë, përfshirë staf mjekësor dhe kujdestarë, u transferuan në Spitalin Indonezian të afërt. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shprehur shqetësim për bastisjen dhe ka theksuar se kjo ka lënë spitalin e fundit të madh në zonë jashtë funksionit.

Eid Sabbah, kreu i departamentit të infermierisë në Kamal Adwan, ka treguar se forcat izraelite kanë urdhëruar evakuimin në orën 07:00 të së premtes, duke dhënë vetëm 15 minuta për të zhvendosur pacientët dhe stafin. Më pas, trupat izraelite kanë hyrë në spital dhe kanë larguar pacientët që ishin mbetur atje.

Hamasi ka kërkuar ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur objektet shëndetësore të mbetura në Gaza dhe ka kërkuar që vëzhguesit e OKB-së të dërgohen për të hetuar situatën dhe për të zbuluar të vërtetën e ngjarjeve që po ndodhin në këtë rajon të tensionuar.

/rtsh.al/