RTSH 24 Live

Konflikti në Lindjen e Mesme

Izraeli bën thirrje për evakuim, OKB: 400 mijë njerëz janë bllokuar në Gaza

3 orë para

Izraeli bën thirrje për evakuim, OKB: 400 mijë njerëz janë bllokuar në Gaza

Komisioneri i përgjithshëm i agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa), Philippe Lazzarini, ka paralajmëruar se të paktën 400 mijë njerëz janë në thelb "të bllokuar" në veri të Gazës, dhe nuk kanë ku të shkojnë pasi asnjë vend nuk është më i sigurt.

Ai tha se shumë njerëz në Gazën Veriore, veçanërisht në kampin e refugjatëve Jabalia , më i madhi nga tetë kampet e refugjatëve të Rripit të Gazës, po refuzojnë të zbatojnë urdhrat e evakuimit izraelit duke u thënë atyre të shkojnë drejt jugut, pasi për ta nuk ka më asnjë vend të sigurt.

“Strehimoret dhe shërbimet e Unrwa po detyrohen të mbyllen. Me pothuajse asnjë furnizim bazë në dispozicion, uria po përhapet dhe thellohet përsëri. Ky operacion i fundit ushtarak kërcënon edhe zbatimin e fazës së dytë të fushatës së vaksinimit ndaj poliomielitit për fëmijët. Fëmijët janë si kurrë më parë, të parët dhe më të shumtët që vuajnë. Ata meritojnë shumë më mirë, ata meritojnë një armëpushim tani, ata meritojnë një të ardhme”, tha Lazzarini.

Ushtria izraelite ka rrethuar Jabalian që nga e diela, si dhe lagje të tjera aty pranë, duke urdhëruar banorët të largohen drejt të ashtuquajturës "zona humanitare" të al-Mawasi , edhe pse ajo ka qenë gjithashtu në shënjestër të sulmeve ajrore vdekjeprurëse izraelite dhe është shumë e mbipopulluar.

/rtsh.al/