RTSH 24 Live

Botë

Izraeli: Armëpushimi do të zgjatet aq sa Hamasi liron çdo ditë nga 10 pengje

30/11/2023

Izraeli: Armëpushimi do të zgjatet aq sa Hamasi liron çdo ditë nga 10 pengje

Izraeli ka bërë të ditur se do të zgjasë armëpushimin aq sa Hamasi të lirojë të gjallë çdo ditë nga 10 pengje.

Mark Regev, këshilltar i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se qëndrimi i Izraelit për çdo zgjatje të pauzës humanitare është krejt i qartë.

Çdo ditë, ne ramë dakord për një zgjatje për lirimin e 10 pengjeve, 10 pengjeve të gjallë. Nëse Hamasi vazhdon të lirojë çdo ditë nga 10 pengje do të zgjasim armëpushimin” tha Regev.

Kur u pyet nëse luftimet do të rifillonin brenda 24 orëve të ardhshme, Regev tha, “nëse Hamasi nuk arrin të përmbushë kushtet e armëpushimit, që të lirojë 10 izraelitë çdo ditë, atëherë sigurisht që luftimet mund të rifillojnë”.

Sipas Regev, ka ende të paktën 140 pengje brenda Gazës. Izraeli pranoi marrëveshjen aktuale të një pauze humanitare “për të nxjerrë pengjet që mund të zgjatet çdo ditë për një ditë”, tha ai.

I pyetur për negociatat për çdo marrëveshje të mëtejshme, Regev tha se “kjo është një pauzë humanitare në luftën tonë kundër Hamasit, Izraeli është i vendosur të shkatërrojë makinën ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij mbi Gazën”, transmeton CNN. 

Ne nuk do të luajmë lojëra me jetët e njerëzve tanë” tha Regev. “Hamasi e di se cilët janë parametrat e marrëveshjes”.

/rtsh.al/