RTSH 24 Live

Aktualitet

ISHSH Gjirokastër në terren për monitorimin e masave anticovid

16/04/2021

ISHSH Gjirokastër në terren për monitorimin e masave anticovid

Pavarësisht rënies së rasteve pozitivë dhe normalizimit të situatës së pandemisë së Covid-19, Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor Gjirokastër nuk e ka ulur tempin e punës në terren, duke konsistuar te monitorimi i zbatimit të protokolleve të sigurisë në subjektet me risk të lartë, por edhe te qytetarët. Sipas kreut të këtij institucioni Edi Sinojmeri nuk kanë munguar masat administrative për subjektet me punonjës të infektuar dhe gjobat e vendosura për personat që nuk mbajnë maskat.

“Jemi në monitorim të vazhdueshëm, me Task Forcën, Policinë e Shtetit, me AKU, në të gjitha fasoneritë dhe fabrikat e prodhimit për të monitoruar, këshilluar, por edhe për të aplikuar masa administrative aty ku ka shkelje. Ne gjatë gjithë kohës sonë i kemi  të ndara grupet edhe në ambientet publike, trotuar, ambiente çlodhëse ku këshillojmë qytetarët për mbajtjen e maskës apo zbatimin e protokolleve përkatëse. Situata është drejt përmirësimit. Kjo falë edhe zbatimit rigoroz të masave mbrojtëse nga qytetarët, por edhe mirëkuptimit  dhe bashkëpunimit nga administratorët e fasonerive apo pronarët e fabrikave të prodhimit që operojnë në zonat Dropull, Tepelenë Përmet. Vlen të përmendim edhe vaksinimin masiv që po kryen popullata, ku tashmë ky proces është fokusuar te grupmosha 60-65 vjeç. Inspektoriati shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim edhe me Task Forcën ka marrë masa administrarive me vendim mbyllje të disa subjekteve. Pas njoftimit të marrë nga NJVKSH se në to ka pasur persona me Covid kemi pezulluar aktivitetin për 14 ditë me qëllimin e vetëm, ndërprerjen e zinxhirit të infeksionit. Po ashtu nga Policia e Shtetit merren masa administrative të përditshme ndaj qytetarëve që shkelin  masat parandaluese.”

Në Gjirokastër shënohen çdo ditë deri në 6 persona pozitivë, nga testet e kryera nga Shërbimi Epidemiologjik, ndërsa sot janë aktivë me Covid–19 rreth 120 banorë të saj.