RTSH 24 Live

Aktualitet

Ish-kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili kalon për gjykim, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera   

28/06/2024

Ish-kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili kalon për gjykim, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera   

Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka pranuar kërkesën e Prokurorisë AntiKorrupsion për të kaluar në proces gjykimi dosjen hetimore në ngarkim të ish-kryetares së Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili dhe gjashtë të pandehurve të tjerë.

Ish-kryebashkiakja e Patosit dhe të pandehurit, Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj, Enirjada Rizaj, akuzohen nga SPAK për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim në dy raste. Ndërkohë tre të pandehur të tjerë: Vangjel Nushi, Boreta Murati, Arben Manoku, akuzohen për “falsifikim dokumentesh”.

Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal në ngarkim të të pandehurve: Rajmonda Balilaj, Anisa Petani, Shkëlqim Beqiraj, Enirjada Rizaj, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, dy herë. Si dhe të pandehurve Vangjel Nushi, Boreta Murati, Arben Manoku, të cilët akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Më 17 maj 2024, SPAK mbylli hetimet dhe referoi pranë Gjykatës kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal.

Në përfundim të hetimeve SPAK ka konstatuar se Balilaj dhe varësit të saj; Anisa Petani, ish-nënkryetare, Shkëlqim Beqiraj, ish-sekretar i Përgjithshëm, Enirjada Rizaj, ish-anëtare e komisionit të ofertave, Vangjel Nushi, ish-drejtor i Punëve Publike në Patos dhe Arben Manoku, inxhinier kanë falisfikuar dokumentet dhe në bashkëpunim kanë shkelur barazinë për dy tenderat që konsistonin në ngritjen e mureve në rrugën Dukas-Breg dhe në rrugën e fshatit Rruzhdie.

/rtsh.al/