RTSH 24 Live

Europë

Ish-kryeministri i Skocisë vdes gjatë një konference në Maqedoninë e Veriut

12/10/2024

Ish-kryeministri i Skocisë vdes gjatë një konference në Maqedoninë e Veriut

Alex Salmond, ish-kryeministri i Skocisë dhe një nga figurat më me ndikim në fushatën për pavarësinë skoceze, ka vdekur në moshën 69 vjeç, raporton The Guardian.

Politikani i njohur raportohet të ketë vdekur pas një fjalimi që mbajti të shtunën në Maqedoninë e Veriut. Mediat maqedonase shkruajnë se Salmond vdiq gjatë drekës së konferencës që u mbajt në hotelin Inex Gorica në Ohër. Mendohet se shkaku i vdekjes ishte një atak në zemër. Përpjekjet e ekipit mjekësor të Ambulancës së Ohrit për reanimim kanë rezultuar të pasuksesshme.

Salmond shërbeu si kryeministër i Skocisë nga viti 2007. Ai dha dorëheqjen pas dështimit për të siguruar pavarësinë në referendumin e vitit 2014, duke ia dorëzuar pozicionin zëvendësit të tij, Nicola Sturgeon.

Salmond filloi periudhën e dytë si lider i SNP në vitin 2004, duke siguruar pushtetin në Holyrood në vitin 2007.

Salmond dha dorëheqjen nga SNP në vitin 2018 pas akuzave për ngacmim seksual, duke formuar dhe udhëhequr partinë rivale Alba. Ai u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat penale në vitin 2020, pas një gjyqi.

Anas Sarwar, lideri i Laburistëve Skocezë, tha se “lajmi i trishtuar për ndarjen nga jeta të Alex Salmond sot do të jetë një shok për të gjithë ata që e njohën në Skoci, në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe përtej saj”.

Ai e përshkroi atë si “një figurë qendrore në politikë për më shumë se tre dekada dhe kontributi i tij në peizazhin politik skocez nuk mund të nënvlerësohet”.

/ rtsh.al /