RTSH 24 Live

Aktualitet

Ilir Proda kreu i ri i Policisë së Shtetit, eksperti: “Do ketë lëvizje të madhe në Policinë e Shtetit”

30/09/2024

Ilir Proda kreu i ri i Policisë së Shtetit, eksperti: “Do ketë lëvizje të madhe në Policinë e Shtetit”

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se është risi dhe duhet përshëndetur se më në fund jepet mundësia për të bërë një garë të vërtetë për kreun e Policisë së Shtetit, që sipas tij kjo është një aspiratë për këdo që hynë në strukturat e policisë së shteti.

Duke vlerësuar kandidatin z. Ilir Proda si të përzgjedhurin për tu emëruar në krye të këtij institucioni, eksperti Softa theksoi se, shpresojmë që nëse emërohet të ketë një mandat të plot si kreu i policisë sepse historia ka treguar se askush nuk e ka mbyllur një mandat të plotë në këtë detyrë.

Gjithashtu eksperti tregohet i bindur që do të ketë rezultate në punën e drejtorit të ri të Policisë së shteti, dhe sikurse tha ai, pritet të ketë një lëvizje të madhe në gjithë strukturën e policisë.

Është risi dhe është për tu përshëndetur dhe më në fund jepet mundësia për të bërë një garë për kreun e Policisë dhe kjo është një aspiratë për këdo që hynë në strukturat e policisë së shteti. Gara për kreun e policisë është në përputhje me ndryshimet ligjore të ligjit për funksionimin e Policisë së shtetit i cili për hirë së të vërtetës ka pësuar disa herë ndryshime. Së fundmi kemi një ligj i cili lejoi garën dhe ku nuk duhet të kandidojnë jo më pak se tre persona”.

Mbas një numri rekord njerëzish që morën pjesë në këtë garë, shtoi ai, kryesisht figura të policisë, më në fund sot kemi një emër që është Ilir Proda.  z. Proda edhe në një moshë të re ka një personalitet policor, ka goxha vizion për Policinë e Shtetit por ka dhe një kulturë të përgjithshme qytetare.  Unë e vlerësoj këtë figurë por pritet që të jetë zyrtare nga kryeministri Edi Rama.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është menaxher i strukturës së policisë dhe që të ketë mundësi të organizojë, të mobilizojë dhe të evidentojë të gjithë strategjinë që ka qeveria ne raport me elementët e sigurisë.

Sipas ekspertit Softa, forca e drejtorit të ri duhet të jetë ekipi dhe jo individi sepse nëse është thjesht individ, këta e izolojnë. Pritet të ketë një lëvizje të madhe në gjithë strukturën e policisë.

Deri më sot, shtoi ai, nuk ka funksionuar kurrë që Drejtori i përgjithshëm të ketë peshën e vetë sepse ministrat e brendshëm tre muaj pasi kanë marr detyrën i kanë anashkaluar drejtorët e përgjithshëm të policisë, ndërsa drejtorët e rretheve i thërrisnin në zyrën e tyre. Pra një drejtor i qarkut shkonte direkt tek ministri i Brendshëm  nuk shkonte tek drejtori i përgjithshëm.

 

 

/rtsh.al/