Ilir Proga është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Këshilli i Ministrave ka miratuar emërimin e Ilir Prodës pas propozimit të ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, i cili përzgjodhi emrin e tij mes 11 kandidatëve.
Minsitri Hoxha tha se me emërimin e Ilir Prodës tashmë hapet gara për drejtuesit e policive në qarqe.
“Këshilli i Ministrave miratoi emërimin e Ilir Prodës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ai i ka plotësuar të gjithë kriteret dhe ka një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit. Menjëherë pas emërimit të tij do të vendosim konkurrimin e ri lidhur me drejtorët e policive në qarqe”, tha Hoxha.
I pyetur për sekuestrimin e telefonit të Ilir Progës nga SPAK lidhur me dekonspirimin e operacioneve lidhur me bandat e Elbasanit, ministri Hoxha u shpreh se “ai është verifikuar nga organet ligjzbatuese dhe se pastërtia e tij ishte në përputhje të plotë me ligjin dhe procesi përzgjedhjes së tij mes kandidaturave të tjera ishte transparent dhe integrues. Ilir Proda i ka kaluar të gjitha këto etapa".
Ilir Proda u zgjodh pas një konkurrimi mes 11 kandidatëve, garë që u hap pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut.
Kush është Ilir Proda
Ilir Proda ka një karrierë prej 19 vitesh në Policinë e Shtetit, ku përgjatë këtyre viteve ka mbajtur poste si shef Komisariati në Tiranë e Bulqizë, zv.drejtor për hetimin e krimit në Korçë e Elbasan. Aktualisht Ilir Proda mban pozicionin e Drejtorit të Policisë së Elbasanit. Para se t’i besohej ky pozicion, Proda mbante postin e nëndrejtorit për Policinë Kriminale në këtë drejtori.
– 2002-2005 Akademia e Policisë
-Gusht 2005-Nëntor 2011 Komisariati Nr.3 Tiranë
-Nëntor 2011-Mars 2012 Komisariati Nr.4 Tiranë
-Mars 2012-Qershor 2013 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit
-Qershor 2013- Tetor 2013 në Policinë e Lezhës
-Tetor2013- Dhjetor 2014 Shef Komisariati Nr.2 Tiranë
-Dhjetor 2014- Shkurt 2016 Shef Komisariati Bulqizë
-Shkurt 2016 – Maj 2017 Seksioni për hetimin e narkotikëve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit
-Maj 2017- Korrik 2019 Drejtoria e Përgjithshme, Njësia për hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë
-Korrik 2019 – Tetor 2021 Zv.Drejtor për hetimin e krimit në Korçë
-Tetor 2021- Mars 2023 Zv.Drejtor për hetimin e krimeve në Elbasan
-Mars 2023 Drejtor i Drejtorisë Vendore i Policisë së Elbasanit
/rtsh.al/