RTSH 24 Live

Aktualitet

IKMT, 10 objekte të shembura në Velipojë dhe 18 në Ksamil

11/06/2021

IKMT, 10 objekte të shembura në Velipojë dhe 18 në Ksamil

Në një javë aksion, të ndërmarrë nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe Policisë së Shtetit, u shembën rreth 30 objekte të ndryshme.
Ky inspektoriat përmes një komunikimi me mediat, bëri bilancin e punës së javës së parë të operacionit “Bregdeti ynë”, ku bëri të ditur, se inspektorët e tij këto ditë janë përqendruar në Ksamil dhe Velipojë për të shembur objektet e paligjshme. 
Në Velipojë janë shembur 10 objekte të paligjshme, ndërkohë që po punohet me mjetet e IKMT dhe ushtrisë për pastrimin e inerteve. 
Ndërsa në Ksamil janë shembur 18 objekte pa leje si dhe po bëhet largimi i inerteve. 
IKMT thekson se ka pasur disa raste kur objektet e ndërtuara pa leje janë shembur nga vetë pronarët e tyre.
Qeveria vendosi nisjen e këtij operacioni përmes të cilit synohet shembja e ndërtimeve pa leje për të çliruar çdo hapësirë të zaptuar dhe për të vënë para përgjegjësisë shkelësit e ligjit, përgjatë gjithë vijës bregdetare.
Bëhet fjalë për objekte, të cilat konsiderohen pa leje, ata që nuk kanë një leje ndërtimi edhe ata që kanë një leje ndërtimi por kanë shkelur kriteret duke shtuar volume apo kate.
Brenda 30 qershorit, pritet që ky aksion të përfundojë.