RTSH 24 Live

Aktualitet

I vodhi 120 mijë euro, dëshmia e pastrueses çon në burg ish-zyrtaren Klosi: Më tha vetë t’i merrja, donte të fajësonte bashkëshortin

04/02/2023

I vodhi 120 mijë euro, dëshmia e pastrueses çon në burg ish-zyrtaren Klosi: Më tha vetë t’i merrja, donte të fajësonte bashkëshortin

Alda Klosi, ish-drejtoresha e koncesioneve në Ministrinë e Ekonomisë dhe ish-shefe e Kabinetit është arrestuar mbrëmjen e së premtes nga Policia. Bëhet me dije se Klosi akuzohet për pastrim parashë, ndërsa arrestimi i saj erdhi aps dëshmisë së Rozeta Dobit, pastrueses e cila i vodhi ish-zyrtares 120 mijë euro.

Nga deklarimet e bëra nga Dobi në polici, duket se ndryshon e gjithë dinamika e ngjarjes, teksa ajo ka deklaruar se ka qenë vetë Klosi e cila i kishte kërkuar t’i merrte paratë. Sipas saj, ish-zyrtarja kishte probleme me bashkëshortin dhe se vjedhjen e kishte inskenuar për të bërë përgjegjës atë. Po ashtu Dobi ka deklaruar se në shtëpinë e Klosit hynin shuma të mëdha parashë.

Kam parë shumë para, kam pastruar shumë shtëpi. I shikoja shpesh nëpër kuti, m’i la t’i fshihja. Nuk ishte në banesë kur mora lekët, e inskenova vendin e ngjarjes pasi Alda më tha vetë, më tha merri paratë sepse kohët e fundit kishte probleme me burrin dhe donte ta bënte përgjegjës, në banesë vinin para gjithë kohës”, ka thënë ajo.

Klosi  ka mohuar të ketë inskenuar ngjarjen, ndërkohë që i mbetet dëshmisë së parë se paratë që iu gjetën në tubin e aspiratorit nuk janë të sajat. Edhe pse kanë urdhëruar arrestimin, hetuesit kanë dyshime për dëshmitë, pasi dëshmia e Dobit mund të jetë për të shpëtuar të birin. Ish-zyrtarja Alda Klosi do të dalë në ditët në vijim në gjykatë ndërsa akuzohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe deklarim të rremë para oficerit të policisë.

Në një njoftim mbi ccështjen, Prokuroria e Tiranës bën me dije se hetimet në lidhje me këtë rast janë komplekse dhe se vijon puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të personave të përfshirë.

Kujtojmë se  Rozeta Dobi, bashkë me të birin, Havier Dobi, ndodhen në burg pasi u zbulua vjedhja prej 120 mijë eurove që kishin marrë në banesën e Klosi, ndërsa po ashtu në banesën e tyre u gjetën edhe 400 mijë euro të tjera të cilat janë ende pa pronar.

Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në shtëpinë e Klosit, kishte arritur të fotokopjonte çelësat dhe në bashkëpunim me djalin e saj vodhën paratë, ndërsa më pas e inskenuan ngjarjen si grabitje.

Ndërkaq, në dëshminë esaj pas zbulimit të vjedhjes, Klosi deklaroi se shumën e parave para e kishte të deklaruara dhe se e kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait të saj në SHBA.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve R. D., dhe H. D. Procedim penal i mësipër,m është regjistruar pasi më datë 15.12.2022, është njoftuar Salla Operative e Policisë Tiranë se në Rrugën e “Kosovarëve", është vjedhur banesa e shtetases A.K. Në kuadër të veprimeve hetimore të kryera nga organi i prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, është krijuar bindja e bazuar në prova se autorët e dyshuar për kryerjen e veprës penale janë shtetasit R. D. dhe H. D., ndaj të cilëve me kërkesë te prokurorisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendos masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Në vazhdën e hetimeve dhe akteve hetimore të administruara në kuadër të këtij procedimi penal, kanë rezultuar fakte e rrethana që përbëjnë elementë të veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “ Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Sa sipër, mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme të bazuara në prova, është bërë ndalimi i shtetases A.K., e vënë nën hetim për konsumimin e elementeve të këtyre veprave penale.

Me urdhrin e datës 03.02.2023, është regjistruar në regjistrin e veprave penale, emri i shtetases A. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë  kriminale” dhe “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” parashikuar nga nenet 257/a, 287 e 305/b i K. Penal. Hetimet në lidhje me ketë rast janë komplekse dhe në vijim, duke garantuar se Prokuroria është maksimalisht e angazhuar dhe do të kryejë çdo veprim hetimor me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, dhe vënien përpara përgjegjësisë te çdo personi të përfshirë në të.

/rtsh.al/