RTSH 24 Live

Aktualitet

I shpallur në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet ish-drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri

11/09/2024

I shpallur në kërkim nga SPAK, vetëdorëzohet ish-drejtori i Policisë Lezhë, Henerigert Mitri

Ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen “Revanshi”, është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës.

Emri i Henerigert Mitrit doli gjatë zhvillimit të operacionit “Revanshi” nga SPAK në maj të këtij viti. Sipas hetimeve, Mitri në cilësinë e drejtorit të policisë së Lezhës, zhvillonte aktivitete të paligjshme si të kultivimit të kanabisit dhe lojërave të fatit.

Mitrit iu caktua masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “shpërdorim i detyrës”.

Mitri si drejtor policie kishte i pari akses për koordinatat ku Guardia di Finanzia do të bënte kontrollet nga ajri dhe firmoste urdhrat.

Por, para se t’i firmosë këto urdhra për kontrolle, Mitri komunikonte me vartësin e tij, shefin e anti trafiqeve, Klodian Shahinin, për ta pyetur se ku janë vendet që kanë mbjellë kanabis dhe para se Guardia Di Finanza të fluturonte mbi to, hiqnin bimët narkotike dhe trafikantët largoheshin.

/rtsh.al/