RTSH 24 Live

Aktualitet

I dënuar me burgim të përjetshëm, arrestohet në Itali Gjovalin Lesi

03/04/2024

I dënuar me burgim të përjetshëm, arrestohet në Itali Gjovalin Lesi

Arrestohet në Itali 55-vjeçari shqiptar Gjovalin Lesi i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

Në vitin 1997 në Rubik, Lesi vrau me kallashnikov kunatin dhe motrën e tij, pas konflikteve për motive të dobëta.

Në vit më pas, Gjykata e Mirditës dënoi me burgim të përjetshëm 55-vjeçarin, duke e akuzuar për dy vepra penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Autoritet po vijojnë punën për ekstradimin e Gjovalin Lesit në Shqipëri.

“I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë, kapet dhe vihet në pranga një 55-vjeçar, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Verdikti”.

Operacioni, rezultat i informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të shkëmbyer me Policinë e Materas, Itali, me koordinimin e Zyrës së Interforcës Italiane, Zyrës së Ekspertëve Italianë të Sigurisë, në Shqipëri, dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor - Divizioni i 2-të, Romë.

I ndaluari në Matera, në vitin 1997, në Rubik, vrau me kallashnikov, pas një konflikti për motive të dobëta, kunatin dhe motrën e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/