RTSH 24 Live

Kronika

I biri u arrestua si autori i vrasjes së Edmond Papës, pezullohet nga detyra babai polic, Dilaver Velo

03/01/2023

I biri u arrestua si autori i vrasjes së Edmond Papës, pezullohet nga detyra babai polic, Dilaver Velo
Autori i dyshuar i vrasjes së Edmond Papës, Albano Velo

Efektivi i policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo është pezulluar nga detyra, pasi djali i tij, Albano Velo ra në prangat e policisë këtë të martë, i akuzuar si autori i vrasjes së 49-vjeçarit Edmond Papa.

Nëpërmjet një njoftimi, Policia e Shtetit bën me dije se gjithashtu ka nisur edhe një hetimi i thelluar ndaj Dilaver Velos.

“Në lidhje me identifikimin, kapjen dhe ndalimin e njërit prej autorëve të vrasjes së shtetasti E. P., nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi i ndaluar A. V.,  është djali i një punonjësi Policie. Menjëherë pas ndalimit të shtetasit A. V., Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka  bërë pezullimin nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor D. V., me detyrë trup shërbimi në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë. Gjithashtu  Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin e thelluar ndaj punonjësit të Policisë, të pezulluar nga detyra.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Albano Velo u arrestua ditën e sotme, i akuzuar se ka ekzekutuar Edmond Papën më 16 dhjetor, ndërsa është shpallur në kërkim si bashkautor i vrasjes edhe personi me inicialet A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë. Velo rezulton shok i Aleksandër Sadikaj, i ekzekutuar më 11 qershor të vitit të kaluar, megjithatë nuk dihet ende nëse ngjarjet kanë lidhje me njëra-tjetrën.

49-vjeçari Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit, ku u qëllua për vdekje në një lokal. Viktima ishte me precedent në Greqi, ku ka kryer një dënim për drogë. Ai ishte banues në Sarandë, ku edhe kishte në pronësi edhe një hotel.

/rtsh.al/