Ministri hungarez i Mbrojtjes, Kristof Szalay-Bobrovniczky tha se vendi i tij do të vendosë një sistem për mbrojtjen ajrore në pjesën verilindore, por pa specifikuar se cilat pjesë të sistemit do të instalohen. Ai njoftoi vendimin pas takimit me Këshillin e Mbrojtjes, të thirrur nga kryeministri Orban, ku u bisedua për zhvillimet në Ukrainë.
“Ne ende besojmë në arritjen e paqes sa më shpejt të jetë e mundur, përmes diplomacisë, jo luftës. Megjithatë, për t'u përgatitur për të gjithë skenarët, urdhërova që sistemet e kontrollit dhe mbrojtjes ajrore të blera së fundi dhe kapacitetet e ndërtuara mbi to të instalohen në verilindje. Rreziku për përshkallëzimin e luftës Ukrainë-Rusi është më i madh se kurrë më parë”, u shpreh Kristof Szalay-Bobrovniczky, Ministri i Mbrojtjes në Humgari.
Ministri hungarez, vend anëtar te NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që ndan një pjesë të kufirit me Ukrainën, bëri me dije se disa njësi të ushtrisë hungareze janë në gatishmëri të lartë. Ushtria e Hungarisë, e cila i është nënshtruar një programi modernizimi, vitin e kaluar bleu sisteme për mbrojtjen ajrore nga Franca, ndërsa 4 vite më parë bleu sisteme të mbrojtjes ajrore nga prodhues amerikanë dhe norvegjezë. Më herët, presidenti rus Vladimir Putin përditësoi doktrinën bërthamore në përgjigje ndaj ndonjë sulmi të mundshëm me armë konvencionale kundër vendit t tij, vendim që erdhi pasi Shtetet e Bashkuara lejuan Kievin të përdorë raketat amerikane brenda territorit rus.
/RTSH/