Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, priti në një takim zyrtar Drejtorin e Përgjithshëm të Migracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Bas Javid.
Biseda mes tyre u përqendrua në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe shumëpalësh, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
Z. Hoxha dhe z. Javid ndanë të njëjtin vlerësim se, Task Forca trepalëshe Britani–Shqipëri–Kosovë është një model suksesi, që ka sjellë rezultate konkrete në adresimin e sfidave të përbashkëta, kryesisht migracionit ilegal të shqiptarëve drejt Anglisë.
Gjithashtu, ata ndanë qëndrimin për nevojën e zgjerimit të këtij modeli edhe në fusha të tjera të rëndësishme, siç është lufta kundër krimit të organizuar.
Duke vlerësuar kontributin dhe asistencën e ofruar nga pala britanike, ministri Hoxha theksoi: “Shqipëria mbetet e përkushtuar për një partneritet të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të kontribuar në një Europë më të sigurt.”
/rtsh.al/