Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ka kërkuar masa konkrete për të përmirësuar sigurinë publike dhe për të rritur standardet e shërbimeve turistike në vend. Nënvizimet e tij zoti Hoxha i bëri gjatë një tryeze diskutimi me prefektët së bashku me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.
Ministri vuri theksin te nevoja për rritjen e masave të sigurisë në vijën bregdetare. "Për fat të keq, edhe gjatë këtij sezoni pati rast me pasojë fatale, për shkak të përdorimit të mjeteve ujore. Kjo histori duhet të marrë fund" tha zoti Hoxha.
Ministri shprehu shqetësimin për operatorët që nuk përmbushin standardet, duke theksuar se “edhe këtë vit ka pasur operatorë abuzivë apo stacione plazhi që nuk përmbushnin standardet”.
Ministri Hoxha bëri me dije se prioritet do të jetë edhe ndërtimi i rrugëve me standarde për akses më të mirë në pikat turistike.
Ministri i Brendshëm nënvizoi problematikat mbi menaxhimi i zjarreve dhe emergjencave. Duke pasur parasysh “shirat e pritshëm të vjeshtës,” Hoxha u bëri thirrje prefektëve që “të jenë në krye të punës për marrjen e masave për përballimin e situatave emergjente,” duke nënvizuar nevojën për “riorganizimin e Komisionit për Mbrojtjen Civile në qarqe”.
/ rtsh.al /