Një punonjës policie ka mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e se martës (15 gusht) në Himarë. Policia bën me dije se ngjarja u regjistrua rreth orës 23:00, te kthesa e fshatit Pilur, ku disa persona po konfliktoheshin fizikisht me njëri-tjetrin.
Në momentin që po ndodhte konflikti, punonjësi i Policisë, 28-vjeçari me inicialet R. Ç., me detyrë inspektor i Policisë së zonës Lukovë, jashtë orarit të shërbimit ishte duke kaluar në rrugë dhe ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Njëri prej personave të përfshirë në konflikt, shtetasi Th. M., 60 vjeç, nga fshati Pilur, e ka goditur me thikë dhe për pasojë punonjësi i Policisë është në gjendje kritike për jetën.
60-vjeçari, pasi ka goditur policin, është larguar menjëherë duke përfituar nga errësira. Ai u vu në pranga pas 8 orësh ndjekje.
Ndërkohë është ngritur grupi hetimor dhe vijon punën për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
/rtsh.al/