RTSH 24 Live

Aktualitet

Himarë, i mituri në gjendje të rëndë, policia zbardh aksidentin, të rinjtë u përplasën me Jet Ski, procedohet penalisht pronari  

15/08/2023

Himarë, i mituri në gjendje të rëndë, policia zbardh aksidentin, të rinjtë u përplasën me Jet Ski, procedohet penalisht pronari  

Ka marrë tjetër kthesë aksidenti në Llaman, Himarë, ku një djalë i moshës 16- vjeçare ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa shoku i tij është me plagë më të lehta.

Historia e thurur dhe e shitur fillimisht si një ngjarje aksidentale, pasi djali i mitur u plagos rëndë për shkak se u përplas me një copë shkëmbi nënujor kur po hidhej në det, dhe se shoku i tij mbeti edhe ai i plagosur pasi po tentonte ta shpëtonte, ka qenë tërësisht e gënjeshtër.

Policia e Himarës, pas hetimeve të thelluara, ka rrëzuar tërësisht “alibinë” e thurur fillimish të kësaj ngjarje, duke e klasifikuar atë si “plagosje të rëndë nga pakujdesia”.

Hetimet që zbërthyen historinë e rreme

Policia bëri të ditur se në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur sot, në Llaman, ku aksidentalisht u dëmtua rëndë shtetasi K. Xh., 16 vjeç, nga Tirana dhe u dëmtua lehtë shoku i tij shtetasi D. K., 17 vjeç, po nga Tirana, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal për shtetasin U. K., 17 vjeç, për veprën penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.

“Procedimi penal ka nisur edhe për shtetasin R. P., 56 vjeç, pronari i mjeteve lundruese Jet Ski, për veprën penale “Shkelja e rregullave teknike në punë”.”- njofton policia.

Por policia nuk është mjaftuar vetëm me procedimin penal. Operatorit turistik me administrator shtetasin R. P., nga ana e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë i janë bllokuar menjëherë të gjitha mjetet lundruese Jet Ski.

“Për arsye sigurie i është bërë pezullimi i aktivitetit me mjetet lundruese.”- thuhet në njoftimin e policisë.

“Alibia” e ndërtuar me urgjencë nga personat e përfshirë në këtë ngjarje është rrëzuar nga hetimet e policisë pasi nga veprimet e kryera ka rezultuar së në Llaman, shtetasit K. Xh. dhe D. K., së bashku me shtetasit U. K. dhe R. P., 17 vjeç, nga Tirana (të katërt shokë me njëri-tjetrin) janë futur në det, me 2 mjete lundruese Jet Ski.

“Gjatë manovrave në det, dyshohet se aksidentalisht dy mjetet lundruese janë përplasur me njëra - tjetrën dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i njërit mjet Jet Ski, shtetasi K. Xh. dhe pasagjeri, shtetasi D. K.

Shtetasi K. Xh., u transportua në Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar.”- thuhet në njoftimin e policisë, e cila nuk publikon emrat dhe për shkak të moshës minorene të personave të përfshirë në ngjarje.

“Alibia”  

Fillimisht, shtetasit U. K. dhe R. P., si pasojë e tronditjes, kanë dhënë dëshmi të rreme duke thënë se dy shokët e tyre u dëmtuan pasi u hodhën nga shkëmbi në det, por më pas, gjatë hetimeve, kanë deklaruar të vërtetën.

“Të gjitha veprimet hetimore në lidhje me këtë ngjarje janë drejtuar nga prokurori dhe po në drejtimin e tij vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.”- informon policia.

/rtsh.al/