RTSH 24 Live

Aktualitet

Hetimet për Inceneratorin e Tiranës, SPAK: Janë evidentuar 7 shkelje. Veprime në kundërshtim me ligjin

09/12/2023

Hetimet për Inceneratorin e Tiranës, SPAK: Janë evidentuar 7 shkelje. Veprime në kundërshtim me ligjin

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me hetimet e kryera mbi abuzimet me Inceneratorin e Tiranës, ku gjykata ka lëshuar 9 urdhër arreste me burg dhe 6 arreste në shtëpi.

Është caktuar arrest me burg për një sërë ish-zyrtarësh të Bashkisë Tiranë, përfshirë Taulant Tushen, drejtor i Infrastrukturës, ndërsa po ashtu masë arresti në mungesë është caktuar edhe për biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel mërtiri. Të përfshirë në hetimet janë edhe ish ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Alqi Bllako.

Sipas SPAK, ka rezultuar se janë kryer një sërë veprimesh në kundërshtim me ligjin gjatë dhënies së koncesionit dhe po ashtu edhe gjatë zbatimit të tij. Prokuroria e Posaçme rendit 7 shkelje të kryera nga ish-zyrtarët, teksa përmend fillimisht propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë “Integrated Energy BV”, që fitoi koncesionin me vlerë 140 milionë euro.

Sipas SPAK, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, në bashkëpunim me ish-ministrin Koka dhe Alqi Bllako kanë propozuar dhënien e bonusit shoqërisë së mësipërme, pa hartuar një raport përmbledhës. Po ashtu, kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit.

Zyrtarët e mësipërm të Ministrisë së Mjedisit kanë qenë personat përgjegjës që kanë përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimin në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese”, shkruan SPAK.

Shkelja tjetër ka të bëjë me procedurën e dhënies së koncesionit. Sipas SPAK, rezulton se shoqëria “Integrated Energy BV”, në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria “Integrated Technology Services” në pronësi të Klodian Zotos, ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese që përpara se të shpallej procedura e dhënies së koncesionit.

Rezulton se kanë qenë vetë nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, me ndihmën e Kokës dhe Bllakos, që kanë pajisur shoqërinë “Integrated Energy BV” me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministri para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen e saj fituese.

Kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, shtetasi Lefter Koka, shtetasi Alqi Bllako, shtetasja Alba Thoma, shtetasi Bledar Karoli, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Temali, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie”, shkruan SPAK.

Sipas hetimeve të SPAK, shkelja tjetër është evidentuar në lidhje me hartimin dhe miratimin e dokumeteve standarde të koncesionit. Komisioni për dhënien e koncensionit nuk hartoi dokumentet pasi nuk ka bërë mbledhje

SPAK, Dokumentet e koncesionit u hartuan nga punonjësit e Klodian Zotos dhe jo nga komisioni për dhënien e koncesionit. Më pas, procedura u miratua nga ish-ministri Koka, pa pasur dokumentet e hartuara nga Komisioni.

Dokumentet Standarte të Koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit.

Rezulton se Dokumentet Standarte të Procedurës së Koncesionit janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili ua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, shtetasve Alba Thoma dhe Bledar Karoli. Në këtë kohë, këto dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto. Më pas shtetasi Bledar Karoli, këto dokumente i ka nisur në drejtim të përfaqësuesve të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k. Pasi janë bërë komentet nga ana e përfaqësuesve të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, mbi Dokumentet Standarte të Procedurës, është bërë ngarkimi i dokumenteve në sistemin e prokurimit elektronik nga shtetasja Valbona Ballgjini, Kryetare e Komisionit të dhënies së koncesionit, njëkohësisht me detyrë Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Ministrinë e Mjedisit.

Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, Ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa patur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarte të Koncesionit nga ana e Komisionit”, shkruan SPAK.

Shkelja e katërt e evidentuar ka të bëjë me studimin e fizibilitetit. Sipas hetimeve, komisioni i koncesionit nuk verifikoi studimin e fizibilitetit të kryer nga “Integrated Energy BV”. Ndërkohë, rezulton se në studimin e fizibilitetit, ka të dhëna fiktive, ku është rritur fiktivisht tarifa e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.

Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i dhënies së koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare. Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët.

Komisioni i dhënies së koncesionit nuk ka bërë përfshirjen e të ardhurave që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti”, theksohet në hetime.

Alqi Bllako, sipas SPAK, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, në mënyrë indirekte, ka përfituar në mënyrë të parregullt nga Zoto dhe Mërtiri, 119,755 Euro, me qëllim favorizimin gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, shoqërinë koncesionare “Integrated Energy BV”.

Nnë përbërje të kësaj shoqërie ka qenë aksionere edhe shoqëria e Zotos, “Integrated Technology Services” sh.p.k.

Këtë përfitim të parregullt shtetasi Alqi Bllako e ka siguruar nga shtetasi Klodian Zoto nëpërmjet pagesës për pajisjen “Makineri për mbushjen, mbylljen, vulosjen apo etiketimin e shisheve, makineri për gazimin e pijeve”, me vlerë 119,755 Euro. Kjo pajisje ka shërbyer për aktivitetin tregtar të shoqërisë së babait të tij, Edmond Bllako, operatorin ekonomik “Edmond Bllako” Person Fizik, e cila ka pasur si fushë veprimtarie prodhimin dhe tregtimin e birrës në qytetin Ersekës. Kjo pajisje rezulton të jetë blerë pas kërkesës së bërë nga vetë shtetasi Alqi Bllako, me porosi të shtetasit Klodian Zoto, bërë nëpërmjet shoqërisë së bashkëshortes së tij, Ilza Zoto,“Artemis Farm” sh.p.k”, shkruan SPAK.

Po ashtu, Bllako ka ndërhyrë duke i kërkuar Zotos dhënien e përfitimit të parregullt për Vladimir Bezhanin, gjatë kohës që ky i fundit ishte Këshilltar i jashtëm i Ministrit të Mjedisit, duke e punësuar atë fiktivisht tek shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k, kjo me qëllim favorizimin e shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV”.

Bezhani rezulton se ka marrë prej Zotos shumën prej 7,520,000 lekë.

Rezulton se gjatë kohës që shtetasi Vladimir Bezhani ka shërbyer si Këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Mjedisit në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, ai ka shërbyer si “urë lidhëse” për të siguruar nga Autoriteti Kontraktor dokumentacionin e kërkuar në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit, me qëllim vënien më pas të këtij dokumentacioni në dispozicion të shtetasit Klodian Zoto, që ka shërbyer për të plotësuar dokumentacionin e nevojshëm dhe për t’u shpallur fitues shoqëria propozuese “Integrated Energy BV’”, thuhet në hetime.

Shkelja e gjashtë e evidentuar lidhet me kontratën e koncesionit. Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto Mërtiri rezultojën të jenë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare.  Po ashtu ata janë edhe pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të sajë, të themeluar në Holandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.

Sipas SPAK, ata kanë tentuar yë fshehin gjurmët si pronarë të vërtetë, duke përdorur persona dhe shoqëri të tjera.

Është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k dhe shoqërinë mëmë në Holandë, me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V”, aktualisht “Geogenix B.V”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi”, shkruan Prokuroria e Posaçme.

Zoto, në bashkëpunim me Mërtirin, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën prej 409,428,000 lekë. Ka qenë Zoto ai i cili është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij, “Integrated Energy Services” sh.p.k, si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Një pjesë e madhe e këtyre vlerave monetare të siguruara në sajë të mashtrimit, janë tërhequr në cash dhe janë transferuar në mënyra të ndryshme jashtë vendit nga Zoto dhe Mërtiri.

Gjatë hetimit është evidentuar fakti se shtetasit Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, si akisonerët “de facto” të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, janë personat që kanë përgatitur preventiva të falsifikuara, duke fryrë treguesit në kostot e ndërtimit, të përfshira dhe në studimin e fizibilitetit të paraqitur nga ana e tyre, për fitimin e kontratës koncesionare nr.6597, datë 31.08.2017 me objekt “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzistuese, Tiranë””, thuhet në njoftim.

Së shtati, rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për regjistrin e pronarëve përfitues, për përcaktimin e mënyrës dhe të procedurave të regjistrimit e publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente e nga subjektet e detyruara.

Rezulton se me datë 25.06.2021 janë bërë ndryshimet në regjistrin e QKB, në lidhje me aksionerët e shoqërisë holandeze “GeoGenix” (më herët me emrin tregtar “Integrated Energy BV”). e cila rezulton që të jetë pronare me 100% të aksioneve të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”sh.p.k. Aksionerët e shoqërisë holandeze “Geogenix BV”, sipas këtij regjistrimi të kryer, janë deklaruar që të jenë shtetasit Giuseppe Ciaffaglione, me shtetësi italiane, përfitues i 30% të aksioneve të shoqërisë GeoGenix, Salvatore Russelli, me shtetësi italiane, përfitues i 25 % të akioneve të shoqërisë GeoGenix, Alberto Presezzi, përfitues i 43% të akioneve të shoqërisë “GeoGenix”.

Në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më sipër”, theksohet në hetime.

Masa e sigurisë 'arrest me burg' për:
1- Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit, aktualisht në burg)
2- Alqi Bllako, ish sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit (I dënuar nga GJKKO, për inceneratorin e Fierit, aktualisht në burg)
3- Mirel Mërtiri, pronari i Albteckenergy, (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Fierit dhe Elbasanit )
4- Klodian Zoto, administrator i kompanisë koncensionare (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit)
5- Erjon Murataj, anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranës, (në kërkim)
6- Bledar Karoli, ish-zyrtar i Ministrisë së Energjisë (arrestuar)
7- Taulant Tusha drejtor i Infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës ( u vetëdorëzua)
8- Namik Simixhiu, Ish anëtar i  Komisioni Prokurimit Inceneratorit të Tiranës (arrestuar)
9- Jetmir Llapaj (arrestuar)

Masa 'Arrest shtëpie':
1- Alba Thoma, ish-Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit
2- Valbona Ballgjini, Ish anëtare e Komisionit të  Prokurimit të  Inceneratorit të Tiranës
3- Sidita Kopliku
4- Etleva Kondi, Ish anëtare e Komisionit të Prokurimit, Inceneratorit të Elbasanit
5- Sidita Tola

6-Pëllumb Abeshi, ish-zyrtari i ministrisë së Mjedisit (I dënuar nga GJKKO për inceneratorin e Elbasanit dhe Fierit, aktualisht në burg)

/rtsh.al/