Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka nisur një hetim ndaj dhjetë anëtarëve dhe ish-deputetëve të Parlamentit Evropian, të cilët akuzohen për korrupsion. Sipas gazetës belge “Le Soir”, hetimi është përqendruar në mundësinë e keqpërdorimit të fondeve për pagat dhe shtesat e asistentëve të deputetëve të përmendur.
Hetimi i EPPO-së ka zbuluar një rritje shqetësuese të rasteve të korrupsionit brenda institucioneve të BE-së, me numrin e hetimeve që është dyfishuar në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023. Kjo ka ardhur pas një hetimi të mëparshëm mbi mundësitë e parregullsive në kontratat për blerjen e vaksinave të COVID-19 nga Komisioni Evropian.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian është kritikuar për mos adresimin e mjaftueshëm të rasteve të korrupsionit brenda BE-së, duke u vënë në dyshim transparenca dhe efikasiteti i saj. Para rreth tre vitesh, Parlamenti Evropian u godit nga një skandal i madh korrupsioni që solli shqetësime lidhur me ryshfetin në institucionet e unionit.
Në dhjetor 2022, autoritetet belge kryen aksione të mëdha dhe sekuestruan 1.5 milionë euro. Disa individë të njohur si Eva Kaili, Pier Antonio Panzeri, Francesco Giorgi dhe Niccolo Figa-Talamanca u akuzuan për pranimin e ryshfetit nga një vend në Gjirin Persik, me qëllim ndikimin në vendimet politike dhe ekonomike të Parlamentit Evropian.
Pas një periudhe paraburgimi, të gjithë të përfshirët, përfshirë Kailin, u liruan më 14 prill 2023. Hetimi nga Zyra e Prokurorisë Federale të Belgjikës ka tërhequr vëmendje të madhe, me disa që pohojnë se nuk ka pasur përparim të mjaftueshëm dhe se hetimi ka ngecur.
/rtsh.al/