Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri të ditur të martën se Shqipëria është në procedurat finale të hapjes së përfaqësisë diplomatike në Sarajevë.
Në një seancë dëgjimore për buxhetin 2024 në Komisionin për Politikën e Jashtme, Hasani iu përgjigj interesimit të deputetëve mbi prioritetet e dikasterit që drejton për vitin 2024.
Sipas tij, Bosnjë Hercegovina është vendi i vetëm në 6 vende të Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria nuk kishte përfaqësi diplomatike.
“Bosnjë Hercegovina duhet të jetë në hartën e përfaqësimit diplomatik të Shqipërisë për shumë faktorë, si për angazhimet e përbashkëta, por edhe për rrugën e integrimit në BE”, tha ai.
I pyetur mbi marrëveshjet për pensionet, Hasani informoi se është rënë dakord marrëveshja me Italinë për njohjen e kontributeve të pensioneve mes shtetasve shqiptarë në Itali dhe shtetasve italianë në Shqipëri.
Hasani tha se “jemi në hapat final të nënshkrimit të kësaj marrëveshje”.
Po ashtu, ai informoi se edhe me Greqinë është rënë dakord.
“Janë dy hapa të rëndësishëm por jo të mjaftueshëm për t’u shërbyer gjithë qytetarëve tanë që të ndihen të trajtuar mirë edhe në shtetet ku kanë dhënë kontributet e tyre”, tha ai.
Hasani foli po ashtu edhe për diplomacinë ushtarake, ku theksoi se MEPJ është e koordinuar ngushtësisht me Ministrinë e Mbrojtjes për të parë angazhimet e ushtarakëve tanë në misione bazuar në zhvillimet e reja që paraqet aleanca euroatlantike.
Në përfundim ai theksoi edhe rëndësinë e trajnimit të vazhdueshëm të Trupit Diplomatik, ndërsa theksoi se në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është ngritur edhe Komisioni i Gradave. “Na duhet të krijojmë një skemë të qartë që diplomatët të kenë trajnimin e nevojshëm në të gjitha hapat e karrierës së tyre”, shtoi Hasani.
/ rtsh.al /